22 doza lëndë narkotike dhe 4 aparate celularë kanë rënë në duart e efektivëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje gjatë kontrolleve të ushtruara në burgun e Korçës dhe atë të Peqinit.
I dënuari me incialet B.L në burgun e Korçës i sapo kthyer nga leja shpërblyese sipas Ministrisë së Drejtësisë kishte transportuar duke gëlltitur 22 doza narkotike në qese plastike.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative SHKBB i ka kryer një ekografi të dënuarit në stomakun e të cilit ka konstatuar lëndën narkotike.
Ndërsa në burgun e Peqinit janë ushtruar kontrolle në disa qeli në sektorin e sigurisë së lartë dhe në pajisjet elektroshtëpiake të të dënuarve me inicialet D.H dhe E. H u gjetën të fshehura 4 aparate celulare.
Ministria e Drejtësisë bën të ditur se veç masave të marra nga autoriteti i burgut, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Policia e Shtetit po kryhen hetime për veprën penale prodhim dhe shitje narkotikësh, futje ose mbajta e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim. /ABC News Albania 24/7