Sekretarja e Jashtme Britanike, Yvette Cooper do të zhvillojë bisedime me homologun e saj amerikan Marco Rubio, në Uashington.
Sipas BBC vizita e Cooper pritet të përqendrohet në përpjekjet për të siguruar përfundimin e luftës në Ukrainë, si dhe në bashkëpunimin Britani-SHBA për sigurinë globale dhe armëpushimin në Gaza.
“Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të do të riafirmojnë angazhimin e tyre për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë”, tha Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Kjo vjen disa ditë pasi njoftoi një financim shtesë prej 10 milionë paundësh nga Mbretëria e Bashkuar për Ukrainën, që synon mbështetjen e riparimeve të infrastrukturës energjetike.

