Siguri e lartë dhe masa të rrepta/ Vatikani është gati për konklavën që do të zgjedhë Papën e ri

schedule22:25 - 6 Maj, 2025

schedule 22:25 - 6 Maj, 2025

Kapela Sistine është kthyer në një nga vendet më të ruajtura në botë, teksa në 7 maj fillon konklava për zgjedhjen e pasuesit të Papa Françeskut.

133 kardinalë nën moshën 80 vjeç nga e gjithë bota, janë në Vatikan për të zgjedhur kreun e ri të kishës katolike romake.

Për të siguruar sekretin maksimal të konklavës, Vatikani ka vendosur një kombinim të teknologjive të sigurisë së lartë dhe masave të rrepta fizike.

Masat e sigurisë përfshijnë filma specialë për dritare për të parandaluar regjistrimin nga dronët, si dhe sisteme bllokimi të sinjalit për telefonat celularë, të cilët gjithsesi janë të ndaluar gjatë konklavës.

Në ditën e parë të Konklavës mbahet vetëm një raund votimi, por nëse nuk zgjidhet një Papë i ri, Konklava mund të arrijë deri në katër vota në ditë. Votat do të digjen në oxhakun e instaluar së fundmi në çatinë e Kapelës Sistine: tym i zi për zgjedhjet e dështuara, tym i bardhë për një Papë të ri.

Kreu i zyrës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, tha sot se tymi i parë pritet të dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine, rreth orës 19:00. Konklava fillon në orën 16:30 sipas orës lokale.

Kardinalët qëndrojnë në shtëpinë e mysafirëve Santa Marta, e cila u evakuua ditët e fundit për t’u kontrolluar plotësisht nga forcat e sigurisë.

Kardinalët do të shoqërohen nga policia e Vatikanit dhe Garda Zvicerane kudo që lëvizin. Po ashtu si masë sigurie është edhe një kordon mbrojtës rreth kardinalëve në çdo kohë. Edhe nëse duan të bëjnë një shëtitje ose të pinë duhan në kopsht, askush nuk do të jetë në gjendje t’u afrohet.

Asistentët, përfshirë priftërinjtë, kuzhinierët, shoferët, pastruesit dhe ndihmësit, kanë bërë tashmë një betim për sekret absolut dhe të përjetshëm. Shkelja e betimit sjell përjashtim automatik nga Kisha.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!