Si u vra Klodian Rasha në Ditën e Rinisë, vala e protestave dhe “rikthimi” i babait të etur për drejtësi

schedule10:35 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 10:35 - 8 Dhjetor, 2021

Ishin orët e para të mëngjesit të datës 8 Dhjetor 2020, (Dita Kombëtare e Rinisë) kur 25 vjeçarit Klodian Rasha iu ndërpre jeta në mes, në lule të rinisë, nga efektivi Nevaldo Hajdaraj. Ky i fundit po patrullonte bashkë me klolegun e tij nga Zogu i Zi në drejtim të sheshit “Shqiponja”, kur në anë të rrugës vune re 25-vjeçarin, të cilin tentuan ta ndalonin. Klodiani nisi  të vraponte për të shkuar në rrugicën e shtëpisë, ndërsa efektivët po e ndiqnin. Në orën 02:02 minuta Hajdaraj del përbri Klodianit duke i drejtuar pistoletën e shërbimit.

Lexo edhe: 1 vit nga vrasja e Klodianit, babai: Më plagosi shpirtin, gjeni kush ia vendosi armën para se ta bëj vetë

Ky i fundit nuk kishte në duar asnjë send e aq më pak një pistoletë sikurse ishte pretenduar. Pas tentativës për ta kapur efektivi Nevaldo Hajdaraj rrëzohet në trotuar, kurse Klodiani vijon të vrapojë me shpinë nga efektivi. Ky ka qenë momenti kur Hajdaraj ngre dorën në lartësinë e trupit të 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe e qëllon me pistoletën e shërbimit. E gjithë kjo ndodhi në rrugicën pranë shtëpisë së Klodianit që sot kjo rrugë mban emrin e të riut. 2 efektivët shkojnë pranë të riut që qëndronte i plagosur. Këto kanë qenë dhe sekondat e fundit para se të ndërrojë jetë në vendngjarje. Ambulanca u nis drejt Spitalit të Traumës në orën 02:10 minuta e 40 sekonda. Klodian Rasha kishte mbërritur i pajetë në spital. Plumbi prapa shpine i kishte shkaktuar vdekjen.

PROTESTAT

Vrasja e të riut u pasua me një valë protestash në disa qytete të vendit. Dhjetëra qytetarë, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj, protestuan për 7 ditë me rradhë për vrasjen nga efektivi i policisë të  25-vjeçarit. Protestat u zhvilluan në Lezhë, Tiranë, Korçë, Shkodër, Durrës etj. Disa prej tyre janë  shoqëruar me përplasje të forta mes qytetarëve dhe efektivëve. Protestuesit që kanë dalë në shesh kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë dhe që mban të rrethuar godinën e Ministrisë së Brendshme duke kërkuar dorëheqjen e ministrit. Ndërkohë në një nga ditët e protestave ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen, duke i pasuar detyrën Bledi Çuçit. Deri në dorëheqjen e minidtrit vendi është përfshirë nga protesta masive, kryesisht Tirana, ku protestuesit kanë shfryrë inatin e tyre ndaj institucioneve por dhe sinjalistikave rrugore, mes tyre tabelave, apo dhe semaforëve.

DËNIMI I POLICIT

Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për ish-policin Nevaldo Hajdaraj , i cili u akuzua për vrasjen e të riut Klodian Rasha. Nga 15 vite Nevaldo Hajdaraj do të kryejë 10 vite burg për shkak se ka përfituar gjykim të shkurtuar. Gjatë seancës së fundit, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale, nga vrasje me dashje në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” si dhe kërkoi që i riu të dënohet në minimum, kërkesë që nuk u pranua.

ETJA PËR DREJTËSI

Një vit pas vrasjes babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha kërkon nga shteti të zbardhë ngjarjen. Këtu ai i referohet pistoletës së gjendur pak metra larg vendit ku u vra Klodiani. Kjo pistoletë në hetimet e para u tha se ishte e Klodianit dhe ia kishte drejtuar efektivit para se ky i fundit ta qëllonte. Por në fund rezultoi se pistoleta nuk ishte Klodianit dhe ende vijon të mbete mister se kush eka vendosur armën aty? A ishte ky një inskenim për të mbuluar krimin siç thotë babai i Klodianit?

Për këto dhe shumë pyetje të tjera babai i Klodianit kërkon që drejtësia të japë përgjigje duke gjetur personin që e ka vënë armën aty. Babai i Klodianit paralajmëroi se nëse shteti nuk e vendos drejtësinë në vend, ai do ta bëjë vetë. “Atë vendosjen e armës aty bën mirë që shteti ta gjejë e ta cojë sa unë s’kam vendosur akoma për ta gjetur vetë”. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!