Si u ul dënimi i dhënë në Itali për Edmond Begon

schedule14:17 - 20 Gusht, 2018

schedule 14:17 - 20 Gusht, 2018

Gjykata e Torinos në Itali e kishte dënuar shqiptarin Edmon Bego me 27 vjet e 8 muaj burg në vitin 2007. Po pas njohjes së dënimit nga drejtësia shqiptare Bego u dënua përfundimisht nga Gjykata e Lartë në vendin tonë me 4 vjet e 4 muaj burg.

Nga 27 vjet e 8 muaj dënim me burg dhënë nga gjykata e Torinos, në 4 vjet e 4 muaj dënim nga gjykatat në Shqipëri. Është kjo historia e dënimit të Edmond Begos për veprat penale “prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike” dhe “drejtim i organizatës kriminale”. I arrestuari në Igumenicë nga policia greke dhe akuzuar nga opozita si i lidhur me mazhorancën socialiste dhe mbrojtur nga ajo, historia e dënimit të Edmond Begos nis me vendimin e gjykatës së Torinos të vitit 2007.

Ajo i dha 27 vjet e 8 muaj dënim Begos, 1/3-a e së cilit u ul për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke e çuar në 18 vjet e 5 muaj burg. Ky vendim është kundërshtuar në Apelin e Torinos, gjykatë e cila ndryshoi dënimin me 27 vjet të Shkallës së Parë në 21 vjet. Përfundimisht dënimi shkoi në 14 të tilla pas uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Por Bego vijoi betejën me rekurs në Gjykatën e Kasacionit Romë, e cila nuk e pranoi atë, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Torino. Ka qënë prokuroria e kësaj të fundit, ajo që thuajse një javë më vonë nga marrja e formës së prerë të dënimit, ka urdhëruar uljen e tij me tre vjet, duke e çuar në 11 vjet dënimin për atë që ndryshe njihet si Manoli Bega. Kjo për shkak të ligjit italian për amnistinë e përgjithshme.

Pas një letre që ministri italian i Drejtësisë i ka drejtuar homologut të tij në Shqipëri, për ekzekutimin e vendimit për të dënuarin Bego, Ministria e Drejtësisë, asokohe nën drejtimin e Bujar Nishanit, në 25 Nëntor 2009 i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për njohjen e vendimit që dënonte me 11 vjet burg Edmond Begon. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë mori vendim për arrestim dhe njoftoi të dënuarin. Më pas ka qenë prokuroria ajo që i është drejtuar gjykatës për njohjen e vendimit dhënë nga Gjykata e Torinos.

Por Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë kishte arritur në përfundimin se dënimi me burgim ndaj Begos do të duhej të konvertohej në referencë të masës së dënimit që përmbanin dispozitat e Kodit Penal shqiptar, 15 vjet që pas aplikimit të uljes së dënimit me 1/3-n si dhe uljen me 3 vjet të dënimit për shkak të amnistisë italiane dënonte Begon me 7 vjet burg.

Ky konvertim është rishikuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me argumentin e tij se dënimi prej 21 vitesh burg dhënë nga Gjykata e Torinos, baraz me një vit më shumë se dënimi minimal i parashikuar nga kodi italian për veprat penale të kryera nga Bego, do të konvertohej në 11 vite burg sipas minimumit të dënimit plus një vit që kodi shqiptar parashikon për të njëjtat vepra penale. E duke ulur ktu 1/3-n e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe 3 vite të amnistuara nga ligji italian, Edmond Bego, u dënua me 4 vjet dhe 4 muaj burg nga Gjykata e Lartë./abcnews.al