Tashmë është zyrtare. Lionel Messi nuk do të largohet nga Barcelona për të paktën dhe një sezon. Vendimi erdhi pas bisedimeve të babait të sulmuesit, Jorge Messit, me presidentin Bartomeu. Në një intervistë për “Goal”, argjentinasi tregon arsyet e këtij vendimi, i cili ka qetësuar të gjithë tifozët katalanas.
“Kur ia komunikova për herë të parë dëshirën time për t’u larguar gruas dhe fëmijëve të mi, ishte një dramë e vërtetë. E gjithë familja filloi të qante, sidomos fëmijët të cilët nuk dëshirojnë të largohen nga Barcelona apo dhe të ndryshojnë shkollë.
Unë dua sërish të luaj në nivele të larta, të fitoj tituj dhe të triumfoj në Champions League. Ne kemi humbur në Romë, Liverpool dhe Lisbonë dhe të gjitha këto më shtynë për të marrë vendimin për t’u larguar. Unë mendoja dhe isha i sigurt se isha i lirë për t’u larguar. Presidenti më tha se në fundin e sezonit mund të vendos nëse do të largohem apo jo.
Tani ato kapen tek fakti se unë nuk i njoftova para datës 10 qershor, kur duhet të mbaronte normalisht sezoni. Ne në fakt në atë datë po garonim për titullin e La Ligës për shkak të pandemisë, që e shtyu sezonin. Arsyeja se pse unë do të vazhdoj të jem me Barcelonën është se nëse dikush më kërkon duhet të paguajë 700 milionë euro dhe kjo është e pamundur.
Ishte dhe një rrugë tjetër, e cila kalonte nga gjykata. Por unë kurrë nuk do të përfundoj atje përballë klubit të zemrës time, i cili më ka dhënë çdo gjë që nga dita e parë. Unë kam ndërtuar jetën time këtu. Barcelona më ka dhënë çdo gjë dhe unë kam bërë të njëjtën gjë,” mbyll Messi i cili do të vazhdojë të jetë kapiteni i katalanasve. /abcnews.al