Nga Paul Sutter
Ne e dimë që jetojmë në një Univers në zgjerim të vazhdueshëm. Kjo do të thotë se i gjithë universi po bëhet më i madh çdo ditë që kalon. Por do të thotë gjithashtu se në të kaluarën Universi ynë ishte më i vogël sesa është sot.
Nëse rikthehemi pas në kohë, fizika sugjeron se Universi ynë dikur ishte një pikë pafundësisht e vogël, pafundësisht e dendur, një trup i vetëm. Shumica e fizikantëvemendojnë se ajo u zgjerua gjatë Big Bengut.
Por për shkak se e gjithë fizika e njohur nuk vlen për kushtet ekstreme që mbizotëruan në fillimet e Universit tonë, është e vështirë të thuhet me siguri se çfarë ndodhi në ato momente, më të hershmet e Universit. Për pjesën më të madhe të historisë, Universi ka qenë i mbushur me objekte të ngjashme qiellore siç janë të pranishëm sot, vetëm se ishin thjesht më afër njëri-tjetrit.
Për shembull, kur Universi ynë ishte më pak se 380.000 vite i vjetër, vëllimi i tij ishte rreth 1 milionë herë më i vogël se sa është sot, dhe kishte një temperaturë mesatare prej rreth 9726 gradë Celcius. Pra ishte aq i nxehtë dhe i dendur, sa ishte në fakt në një gjendje plazmike, ku atomet ndahen në protone, neutrone dhe elektrone.
Megjithatë, ne i ndeshim gjendje të tilla në shumë situata të tjera në hapësirë dhe në Tokë, prandaj i kuptojmë mirë sesi funksionojnë ato. Por sa më larg të shkojmë, aq më komplekse bëhet fizika. Kur Universi kishte vetëm disa minuta që ishte krijuar, ishte një “supë” e nxehtë protonesh, neutronesh dhe elektronesh, e drejtuar nga e njëjta fizikë që ne përdorim për të kuptuar bombat bërthamore dhe reaktorët bërthamorë.
Megjithatë, nëse kthehemi akoma më pas në kohë, gjërat bëhen vërtet të paqarta. Kur përpiqemi të kuptojmë Universin kur ai ishte më pak se sa 1 sekondë i vjetër, nuk kemi asnjë teori të fizikës që mund të përballojë temperaturat dhe presionet çmendurisht të larta që përjetoi universi.
Të gjitha teoritë tona të fizikës bien dhe ne nuk e kuptojmë se si funksionojnë grimcat, forcat dhe fushat në ato kushte. Fizikantët mund të përshkruajnë rritjen e kozmosit duke përdorur Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Ajnshtajnit, e cila lidh përmbajtjen e kozmosit me historinë e tij të zgjerimit.
Por kjo teori përmban një të metë fatale. Pasi nëse e ndjekim atë deri në fund, atëherë del se për një kohë të kufizuar në të kaluarën, i gjithë Universi ynë ishte i ngjeshur në një pikë të vetme, pafundësisht të dendur. Ai momenti njihet si “singulariteti i Big Bengut”.
Singulariteti cilësohet si “fillimi” i universit. Por ai nuk ishte aspak i tillë. Matematikisht, singulariteti në Big Bang nuk na tregon se Universi filloi pikërisht në atë moment. Përkundrazi po na tregon se vetë Teoria e Relativitetit të Përgjithshëm është rrëzuar dhe e ka humbur fuqinë e saj parashikuese dhe shpjeguese.
Fizikantët e kanë ditur prej kohësh se Teoria e Relativitetit të Përgjithshëm është e paplotë. Pasi ajo nuk mund të shpjegojë gravitetin me një forcë të madhe apo në një shkallë të vogël, të njohur si graviteti kuantik. Prandaj, për të kuptuar plotësisht momentet më të hershme të Universit, ne kemi nevojë për një fizikë të re.
Mjerisht, aktualisht na mungon diçka e tillë. Ne kemi aktualisht disa hipoteza në lidhje me gravitetin kuantik, si Teoria e Fijeve dhe Graviteti Kuantik Ciklik, por ato nuk janë zhvilluar plotësisht, dhe as nuk janë testuar. Por nëse njëra nga këto teori do të rezultojë e saktë, ato mund të na tregojnë gjëra interesante për Universin e hershëm.
Në rastin e teorisë së Gravitetit Kuantik Ciklik, veçantia zëvendësohet me një pjesë të përmasave të fundme të hapësirë-kohës. Ndërkohë, sipas Teorisë së Fijeve, Universi ynë buron nga një “peizazh” i Universeve të mundshëm.
Po ashtu ka të ngjarë që Big Bengu ynë të ekzistojë vetëm si një nga një seri e pafundme Universesh, duke u shumëzuar pa fund në një multiverse. Vetëm përparimet e mëtejshme në fizikën teorike do të ndihmojnë në zgjidhjen e turbullt të këtyre ideve të mundshme.
Por ekziston edhe një tjetër problem: ne nuk mund ta dimë ndonjëherë se çfarë e shkaktoi BigBengun. Në momentet më të hershme të Universit, nuk vlejnë as vetë konceptet tona aktuale mbi kohën dhe hapësirën. Në shkallë të tilla ekstreme, konceptet normale, të përditshme si “fillimi” dhe “para krijimi” mund të mos kenë ndonjë kuptim. /“Live Science”/