Si u bën fshatarët e Korçës eksportues kromi, një histori e padëgjuar mashtrimi me duhanin dhe përfshirja e turkut

schedule14:10 - 29 Prill, 2022

schedule 14:10 - 29 Prill, 2022

Shqipëria është vendi i çudirave dhe gjithçka mund të ndodhë për aq kohë sa korrupsioni është në nivele alarmante duke zënë vend çdo vit në raportet e Komisionit Europian dhe atij të Departamentit të Shtetit mbi vendin tonë.

Ngjarja që do të raportojnë më poshtë duket të jetë një situatë tipike mashtrimi financiar me bekimin e organeve tatimore duke bërë që ta pësojë një biznesmen i njohur  i duhanit, ndërkohë që dhjetra fermerë në Korçë dhe Pogrades i kanë sytë nga kjo bimë me të cilën mbajnë veten.

Prej disa vitesh në prokurorinë dhe gjykatën e Durrësit ndodhet një dosje hetimore mbi skandalin ku 94 fermerë në Korçë dhe Pogradec rezulton të jenë bërë befas eksportues kromi!

Kjo rezulton në letra, pasi këto familje nuk kanë prekur ndonjëherë krom me duart e tyre, por një aferë korruptive me qendër në Durrës duket t’i ketë futur në këtë valle.

Sipas dosjes hetimore, pjesë e këtij mashtrimit është edhe kompania “Tur-Alb-Krom”, e administruar nga turku Fethi Kaya, një subjekt që ushtron aktivitet minerar në “Zonën D” në Bulqizë dhe që ka qenë objekt masash ndëshkuese nga Ministria e Energjisë për shkak të mangësive dhe shkeljeve gjatë aktivitetit minerar.

Padia

Në 9 nëntor të vitit 2015 kur biznesmeni Gazmir Sardi bën një padi kundrejt shtetasit Xhevdet Hyseni, i cili kishte qenë prej vitesh administrator i kompanisë së tij të mbledhjes së duhanit “Sardi” shpk me NIPT J91321501L.

Në padinë e tij, biznesmeni në fjalë thekson se Xhevdet Hyseni, në rolin e administratorit të kompanisë kishte kryer veprime abuzime në dëm të tij prej të paktën pesë vitesh, në periudhën 2005-2010, ndërkohe që kishte vulën e kompanisë dhe çdo akses tjetër të mundshëm përmes të cilave mund të kryente këtë shkelje. Sipas biznesmenit Gazmir Sardi, Xhevdet Hyseni kishte kryer një aktivitet të gjatë abuziv, me kosto miliona euro, si hapje degësh fiktive, vlerësime dhe zhvlerësime abuzive, evazion fiskal, pastrim parash, faturime fiktive, etj.

Gjatë periudhës që është kryer shkelja ligjore, Xhevdet Hyseni ushtronte edhe detyrën e zv /drejtorit dhe Drejtorit ekonomik të Portit Detar Durrës.

Përfshirja e turkut

Në padinë e tij, biznesmeni Gazmir Sardi thekson se ka dyshime të forta se gjatë aktivitetit 5-vjeçar përgjatë periudhës 2005-2010, administratori i kompanisë së tij Xhevdet Hyseni në bashkëpunim edhe me kompaninë “Tur-Alb-Krom” të turkut Fethi Kaya kanë faturuar transaksione për shitje-blerje kromi me të paktën 94 fermerë të zonës së Korçës me qëllimin e vetëm përfitimin nga skema e rimbursimit të TVSH-së.

Sipas dosjes, Gazmir Sardi thotë se i ‘besuari i tij’ si ekonomist Xhevdet Hyseni, fillimisht, ka hapur në Kavajë një dyqan të tregtimit të cigareve dhe më pas një dyqan fantazme, duke e kthyer në magazine doganore. Gazmir Sardi pretendon se nga kjo magazinë, Xhevdet Hyseni ka bërë hyrje të sasive të ndryshme kromi, veprime, sipas tij, të kryera në shkelje të detyrës që kryente. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!