Read More…

"/>

Si të bini në peshë pa sakrifica ekstreme

schedule10:50 - 4 Janar, 2022

schedule 10:50 - 4 Janar, 2022

Nga Edi Oga

Njeriut i pëlqen të hajë. Sidomos gjëra të shijshme. Sidomos ëmbëlsira. Madje edhe ato me sherbet. Festat e fundvitit janë një ‘justifikim’ gati-gati naiv për të mos e ndalur dorën drejt gojës duke qenë të vetëdijshëm që do të vijë shpejt dita e pendesës. Dita kur ndjenja e fajit do ta mposhtë ndjenjën e kënaqësisë dhe individët do të turren të rivendosin balancat e humbura të peshës trupore.

Më erdhi të buzëqesh teksa dëgjoja këshilla dobësimi nga një ‘eksperte’ e cila për veten e saj nuk ishte aspak në rregull me BMI-në. (këtë mund ta google-oni dhe të bëni llogaritë për veten tuaj). Aty për aty më lindi ideja ta ndaj me ju praktikën time të të qenit në peshën optimale për gjatësinë dhe moshën.

Sigurisht duhet pak sakrificë, por jo stërmundim i natyrës “po e lë fare, në djall të vejë!” Unë nuk ju premtoj të ‘rrëzoni’ 10 kg në 3 javë, por duke ndjekur këto këshilla të thjeshta, ju mund të humbni deri në 5 kg në 6 muaj, me sakrifica fare të vogla.

  1. Hani çdo gjë që ju pëlqen, por zvogëloni me 20 – 25% racionet me të cilat jeni mësuar.
  2. Konsumoni më tepër sallatë jeshile dhe perime të ziera.
  3. Çohuni nga tavolina të pangopur. Nëse ju merr uria jashtë vakteve, konsumoni një frut.
  4. Jo më tepër se 2 ëmbëlsira në javë.
  5. Jo më tepër sesa 14 njësi alkolike në javë. (4 – 5 gota verë ose 5 – 6 shishe birrë)
  6. Shtoni të ecurën në këmbë. Për distanca deri në 3 kilometra, mos përdorni kurrë mjet.
  7. Mundohuni që të paktën dy herë në javë për 30 minuta të keni aktivitet të shtuar fizik deri në nivelin ‘cardio’ (google).

A nuk ju duken të bëshme?

Nga ky regjim, përveçse rënies në peshë, edhe parametrat tuaj shëndetësorë mund të përmirësohen.

Kjo ka ndodhur me mua dhe me disa miq të mi, të cilët më kanë falënderuar. Unë i kam përgëzuar për vullnetin që kanë pasur për t’i zbatuar këto këshilla elementare.

/ Abcnews.al