Si shmanget ngjitja në pushtet e politikanëve si Donald Trump

schedule10:54 - 22 Tetor, 2021

schedule 10:54 - 22 Tetor, 2021

Nga Betto Van Waarden, The Conversation

Personazhet e famshëm publik mund të shfaqen një ditë si burra shteti në formën e Arnold Schwarzenegger, guvernatorit të Kalifornisë në SHBA, apo më së afërmi përmes presidencës së ish-yllit të emisioneve “reality show”, Donald Trump.

Tashmë hyrja e vipave të shobizit në politikë është bërë një modë ndërkombëtare. Shembuj të tillë janë futbollisti brazilian i kthyer në senator Romário de Souza Faria, këngëtari Bobi Wine që u rendit i dyti në zgjedhjet presidenciale të kontestuara në Ugandë,apo komediani Volodymyr Zelensky që u zgjodh president i Ukrainës.

Lufta e pandërprerë për vëmendje mediatike në mjedisin aktual politik, ka shkaktuar një fenomen tjetër:politikanët që bëhen vetë të famshëm. Këta politikanë e stilojnë veten si persona tërheqës për publikun, dhe kërkojnë vazhdimisht publicitet përmes paraqitjeve shoqërore dhe angazhimit pro-aktiv me mediat.

Karizmatiku Barack Obama dhe kllounesku Boris Johnson, e shndërruan që të dy me sukses në pushtet politik vëmendjen e mediave. Kongresistja demokrate amerikane Alexandria Ocasio-Cortez bëhet rregullisht virale në mediat sociale.

Kohët e fundit ajo u përpoq të promovonte disa politika progresiste, duke u shfaqur në një mbrëmje gala me një fustan me parullën “Takso të pasurit!”. Akanë mundësi politikanët “tradicionalë” të konkurrojnë ende për pushtet në mesin e personazheve si Trump dhe Johnson?

Këtu futet politikani anti-celebrity. Duke u veshur dhe sjellë në një mënyrë që nuk bie në sy, dhe që i mungon vëmendja mediatike, politikani anti-celebrity mishëron cilësitë e kundërta të yjeve të famshëm të shoubizit. Ai ose ajo e shmang vëmendjen e publikut dhe mediave, dhe ka sukses pikërisht atëherë kur nis lodhja e qytetarëve me figurat e famshme.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani na japin dy shembuj në këtë aspekt. Fituesi i zgjedhjeve, socialdemokrati Olaf Scholz,u prezantua si një lider jokarizmatik dhe teknokratik, gjë që i dha atij pseudonimin “makineria Scholz”.

Ai kopjoi me kujdes imazhin e stabilitetit të projektuar nga kancelarja Angela Merkel, një ndër politikanet më të rëndësishme anti-celebrity. Politika e Merkelit nuk kishte shumë dukje, dhe ajo ishte e njohur për sinqeritetin, pamjen e saj neutrale, shmangien e shfaqjeve ekstravagante dhe polemikave në media, si dhe për mungesën e emocioneve dhe impulsivitetit.

Historitë e politikanëve që kanë qenë më herët të famshëm dhe homologët e tyre anti-celebrity janë të ndërthurura. Politika e këtyre të fundit shkëlqen vetëm në kontrast me politikën e të famshmëve.

Kultura e të famshmëve, në të cilën mediat nxjerrin në pah personazhet publikë dhe jetën e tyre private para një auditori konsumatorësh në rritje, nisi që të shfaqej për herë të parë në fundin e shekullit XVIII. Politikanë si presidenti i parë i SHBA-së, George Washington, e përforcuan popullaritetin e tyre duke shmangur famën tradicionale dhe duke kërkuar më shumë një publicitet strategjik.

Një shekull më vonë, shtypi modern në zhvillim e industrializoi këtë kulturë, me historitë për të famshmit, që tanimë po mbërrinin tek një audiencë e madhe. Fotografia dhe filmi nënkuptonin se tani kjo audiencë mund t’i “shihte” këta të famshëm, duke e bërë më intime marrëdhënien midis vip-it dhe fansit të tij.

Kjo u përkthye edhe në politikë. Gazetat ndërkombëtare e shpallën Presidentin e Republikës së Afrikës së Jugut gjatë Luftës Boere, Paul Kruger,si një njeri të thjeshtë, të devotshëm dhe tradicional, në kontrast të thellë me fiksimin ndaj një “moderniteti” të ri rreth vitit 1900.

Ky përshkrim kontrastonte shumë me atë të armiqve të tij të famshëm britanikë, sekretarit kolonial Joseph Chamberlain dhe manjatit të minierave Cecil Rhodes.

Në shekullin XX-të, format e reja të mediave masive si radio, televizioni dhe interneti, e fuqizuan më tej politikën e të famshmëve. Sidoqoftë, kjo kontribuoi edhe në një ngopje të publikut me politikanët vip, dhe solli lindjen e kërkesës për alternativa “autentike”.

Shpesh politikanët anti-celebrity, përkufizohen në kontrast me paraardhësit dhe bashkëkohësit e tyre. Pas vëmendjes së madhe mediatike që e rrethonte Nicolas Sarkozy, presidentit francez që kërkonte enkas vëmendje, publiku e mirëpriti pasardhësin e tij François Hollande si një kthim në normalitet (edhe pse ai u bë shumë shpejt tepër jopopullor).

Kjo ndodh edhe në politikën ndërkombëtare. Presidenca simpatike e John F.Kennedy në SHBA, i dha mundësi Hồ Chí Minh të merrte rolin e udhëheqësit anti-celebrity gjatë Luftës së Vietnamit. Merkel është prezantuar në mënyrë të favorshme në media në kontrast me paraardhësin e saj të famshëm Gerhard Schröder brenda Gjermanisë, dhe bashkëkohësin e saj Donald Trump në skenën botërore.

Efekti i politikës kundër të famshmëve, varet nga sistemi politik dhe mediatik i një vendi. Në një sistem presidencial, me një treg mediatik shumë të komercializuar si ai në SHBA, ka një fokus të madh tek politikanët individualë dhe kultura e shoubizit.

Ndërsa kjo situatë favorizon në fillim politikanët vipa, ajo mund të shkaktojë gjithashtu një reagim të ashpër dhe një kërkesë të vazhdueshme për politikanët anti-celebrity. Media e donte shumë Bill Clinton kur luante në saksofon. Por ekspozimi i tepërt i skandaleve të tij i hapi rrugën George W. Bush, që pavarësisht nga mbiemri i tij i mirënjohur, përfaqësonte një politikan mjaft hermetik.

Ndërkohë, në një sistem parlamentar me një mjedis më të rregulluar mediatik si Britania e Madhe, publiku voton për një parti dhe jo për një individ, dhe transmetuesit televizivë duhet t’i përmbahen rregullave më të rrepta për mbulimin e aktiviteteve politike.

Ky sistem u jep mundësi njerëzve më pak të spikatur, që të ngjiten në shkallaren politike,duke qenë relativisht të mbrojtur nga logjika tregtare e medias. Sistemi britanik i dha mundësi Gordon Brown,që ishte një personazh jo karizmatik,që të merrte postin e kryeministrit nga i famshmi Tony Blair në vitin 2007, nëpërmjet “rrugës së brendshme” për të fituar udhëheqjen e Partisë Laburiste.

Brown admironte kryeministrin anti-celebrity Clement Attlee, që pasoi në detyrë super të famshmin Winston Churchill. Por mungesa e simpatisë së mediave ndaj Brown, e pengoi këtë të fundit të fitonte një mandat të dytë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010.

Javët e fundit kanë sjellë rënien e një politikani të famshëm dhe ngritjen e një tjetri. Kancelari austriak Sebastian Kurz dha dorëheqjen pas akuzave se financoi me paratë e parajsave fiskale promovimin e tij në mediat vendase. Ndërkohë, shkrimtari dhe eksperti francez Éric Zemmour është rritur ndjeshëm në sondazhe, duke e modeluar veten si një “i huaj” i ngjashëm me Donald Trump, që mund të sjellë në presidencën franceze një tjetër yll të shoubizit.

Imazhi anti-celebrity u ofron politikanëve tradicionalë një rrugë tërheqëse drejt pushtetit,në dallim nga metodat e njohura mediatike të shumë liderëve populistë. Megjithatë, ndërtimi dhe ruajtja e këtij imazhi kërkon aftësi të mëdha mediatike, duke ruajtur ekuilibrin midis një ekspozimi të matur në media dhe kërkimit të sukseseve politike, për të shmangur publicitetin ndaj dështimeve.

E ndihmuar nga një ekip besnik këshilltarësh të marrëdhënieve me publikun, Merkel e ruajti për 16 vjet reputacionin e saj si një politikane anti-celebrity, por a do të ketë të njëjtin sukses edhe pasardhësi i saj? Dhe në vend të një Kurz-i apo Zemmour-i të shkëlqyer, një tjetër personazh anti-celebrity mund të tronditë zgjedhjet në Austri dhe Francë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al