Si rrodhi informacioni për Kajmakun, Bardhi: Kemi komunikimin e brendshëm të PS-së

schedule22:57 - 27 Janar, 2020

schedule 22:57 - 27 Janar, 2020

Gazment Bardhi është tashmë personi i identifikuar në opinionin publik se ka “kapur mat” kryebashkiakët e PS-së me të shkuar kriminale. Kushdo i ka parë konferencat e tij për shtyp, teksa denonconte njëri pas tjetrit, Valdrin Pjetrin, Mark Babanin, Agim Kajmakun, Qerim Ismailajn apo Agron Malajn.

Duke folur sonte në emisionin “5 pyeje nga Babaramo”, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tregoi se si e ka siguruar informacionin për kryebashkiakët e PS-së, disa prej tyre të shkarkuar tashmë nga detyra. Ndër të tjera Bardhi tha se rasti i Agim Kajmakut është më flagranti pasi organizata e PS e kishte informuar Ramën dhe Ballukun për dënimin e tij në Greqi.

Pyetje: A jeni i sigurt se Agron Malajn e Matit e kap ligji i dekriminalizimit, sepse ai e ka deklaruar dënimin për plagosje dhe armëmbajtje pa leje?

Gazment Bardhi: Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Armëmbajtja pa leje është ndalim për jetë nga ligji i dekriminalizimit. Ka patur një betejë të gjatë mes përfaqësuesve te PD dhe PS për ndalimet përjetë në ligj. Në atë kohë, duke qenë se për armëmbajtje pa leje ishte i dënuar me gjobë kryetar i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, PS kërkoi të hiqej nga ligji ndalimi për dënimet me gjobë dhe konsensusi u gjet që për dënimet me burg do të ketë ndalim përjetë. Është në detyrën e prokurorëve të konstatojë se Agron Malaj është subjekt i këtij ndalimi sipas ligjit të dekriminalizimit.

Pyetje: Kush ua jep informatat? Partnerët?

Gazment Bardhi: Ka patur edhe raste, kur jemi sinjalizuar nga partnerët. Nje pjesë i kemi marrë nga strukturat e PD në rrethe, një pjesë edhe nga rrjedhja e informacioneve të strukturave të PS para zgjedhjeve, që kanë inforrnuar kryeminsitrin se kandidati ka patur probleme me drejtësinë greke.

Pyetje: Për kë bëhet fjalë, se kjo është shumë e rëndë?

Gazment Bardhi: Bëhet fjalë për Vorën. Kandidati i përzgjedhur nga Edi Rama dhe Belinda Balluku ishte në kërkim në Greqi dhe ky shqetësim i strukturave të PS është injoruar. Ne disponojmë komunikimin e brendshëm të strukturave të PS që informojnë për të kaluarën e kandidatit të Vorës.

/abcnews.al