Si po ndryshon trendi i konsumit nga plakja?

schedule22:44 - 16 Prill, 2021

schedule 22:44 - 16 Prill, 2021

Për shkak se struktura e popullsisë po ndryshon me shpejtësi në favor të moshave të vjetra, shumë biznese që nga prodhuesit për tregun vendas, por sidomos sektori i shitjeve me pakicë dhe shërbimeve, duhet të zhvillojnë projeksione të reja për bizneset e tyre. Ajo që për vende të zhvilluara të Europës ka ndodhur për dekada, në Shqipëri po ndodh brenda vitit.

Roland Hysaj, i cili drejton prej vitesh fabrikën e prodhimit të “Miell Tirana” është i shqetësuar. Pakësimi i popullsisë në moshë të re, për shkak të emigracionit, i ka ulur pritshmëritë. Ai pohon se të rinjtë janë konsumatorët kryesorë të bukës dhe brumërave. Rënia e këtij grupi konsumatorësh krijon çoroditje për industrinë e brumit në tërësi. Ndryshimet në stilin e jetesës dhe përshtatja me dietat, për shkak të mbrojtjes nga sëmundjet, sidomos diabeti, ulin konsumin e brumërave në moshat e vjetra. Këto zhvillime në strukturën e popullsisë kanë nisur të ndihen, pohon Hysaj. Ai tha se kjo është një sfidë në biznesin e blojës, e cila vështirë se mund të zgjidhet.

Bizneset e artikujve shkollorë kanë nisur të ndiejnë rënien e numrit të fëmijëve. Mimoza, e cila prej vitesh shet mjete kancelarie në zonën e Selvisë, thotë se rënia e numrit të nxënësve po ndihet te shitjet. Ajo shton se në klasat fillore ka gjithnjë e më pak fëmijë. Rënia ka qenë më e ndjeshme këtë vit të ri shkollor, pohon Mimoza. Nga ana tjetër, prindërit i kanë rritur shpenzimet për fëmijët. Mimoza thotë se tashmë merr furnizime më cilësore, duke pohuar se janë rritur shitjet e stilolapsave që kushtojnë 300 lekë të reja, kurse vite më parë nuk i bënin këto lloj furnizimesh, pasi nuk kishte shitje.

Nga të dhënat e INSTAT, shihet se volumet e tregtisë me pakicë të librave dhe artikujve shkollorë kanë rënë në 98.8% në shtator të vitit 2018 (indeksi bazë 100 në vitin 2010). Volumet e tregtimit të artikujve shkollorë ishin më të ulëta se në vitin 2010, dhe me ulje edhe me një vit më parë në shtator 2018, kur volumet e tregtimit ishin 102%.

Ndryshimi i strukturës së popullsisë mund gjallërojë disa biznese të reja, që më parë nuk kanë ekzistuar. Qendrat e trajtimit për të moshuar dhe azilet kanë një perspektivë të mbarë, ndërkohë, tregtia e ilaçeve po lulëzon pasi një popullsi më e plakur konsumon më shumë medikamente. Nga shtatori i vitit 2018, volumi i shitjeve të barnave me pakicë shënoi rritje me rreth 40% në raport me vitin 2014.

Praktikat e vendeve të tjera që kanë kaluar tranzicione të ngjashme të popullsisë kanë vërtetuar se konsumi udhëhiqet nga moshat e reja. Në kohën e “baby boom” pas Luftës së Dytë Botërore, për fëmijët 0-14 vjeç në SHBA u shpenzuan 400 miliardë dollarë më shumë se për grupmoshat e tjera. Ndryshimi i popullsisë në favor të moshave të vjetra nuk është lajm i mirë për kompanitë e teknologjisë që kanë konsumatorë pararojë të rinjtë.

Plakja e popullsisë e bën një vend më pak atraktiv në përdorimin e teknologjisë së re. Dihet tashmë se çdo risi teknologjike përthithet më shpejt nga të rinjtë dhe për pasojë, kompanitë e teknologjisë dhe TIK kanë si konsumator kryesor moshat e reja. Rënia e popullsisë në këtë grupmoshë e vë në vështirësi perspektivën e kompanive TIK në Shqipëri.

Të rinjtë janë të prirë të bëjnë më shumë blerje dhe i shpenzojnë të ardhurat për risitë më të fundit. Nëse 20-vjeçarët përpiqen të ndjekin ritmet e telefonave të rinj Samsung dhe iPhone, personat mbi 50 vjeç nuk i kanë këto synime.

Ndryshimi i strukturës së popullsisë në favor të moshave të vjetra do të vështirësojë edhe shitjen e pajisjeve elektro-shtëpiake, me funksione të avancuara teknologjike. Një popullsi më e plakur nuk është në gjendje të zhvillojë biznese me bazë teknologjinë. Zhvillimi po orientohet nga teknologjia, por një vend si Shqipëria, ku popullsia është në rënie dhe në plakje, nuk krijon një mjedis të përshtatshëm bizneset e TIK./monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!