Si po hakmerret Donald Trump ndaj familjeve kryesore që drejtojnë Partinë Republikane

schedule18:15 - 8 Maj, 2021

schedule 18:15 - 8 Maj, 2021

Nga David Siders, Politico

Në luftën civile midis Donald Trump dhe establishmentit në rënie të Partisë Republikane në SHBA, asnjë republikan nuk ka guxuar të sfidojë ish-presidentin duke i dalë ballazi. Por ndërsa duket se largimi i Liz Cheney nga drejtimi i pakicës republikane në Kongres, është çështje kohe, Trump ka rezervuar një hakmarrje të veçantë për pasardhësit e familjeve kryesore që dominonin deri më sot Partinë Republikane, në përpjekjen e tij për të ushtruar sundim të plotë mbi këtë parti.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për pjesëtarë të familjeve Cheney, Bush,apo për familje më të vogla – si Romney ose Murkowski – Trump ka qenë i paepur në përpjekjet e tij për t’i gjunjëzuar ata. Edhe Cindy Mccain, e veja e senatorit të ndjerë John Mccain – që vetë nuk ka kandiduar kurrë për ndonjë post- është sulmuar, censuruar nga aleatët e Trump që drejtojnë Partinë Republikane në Arizona.

Kjo është shenja më e qartë, se Partia e sotme Republikane nuk është distancuar vetëm nga e kaluara e saj tradicionaliste. Por ajo trashëgimi është copëtuar në çdo gjurmë të saj.“Kjo që po ndodh është tragjedi”- thotë Arne Carlson, ish-guvernator republikan me 2 mandate në Minesota.

“Problemi me revolucionin që ka nisur në këtë parti, është se mbështetësit e Trump po vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më ekstremistë. Ndërsa Liz Cheney ishte e pozicionuar në të djathtë të partisë, ajo tani e gjen veten duke u shtyrë në mes dhe në fund të fundit tek dera e daljes”-shton ai.

Si një figurë e shquar që lidh Partinë e vjetër Republikane me partinë e re të Donald Trump, Liz Cheney është më shumë se sa thjesht emri i radhës në listën e armiqve të Trump. Nëse mbështetësit e tij në Kongres do të shkarkojnë nga detyra republikanen e Uajoming siç edhe pritet, kjo do të shënojë hedhjen poshtë të dekadave të ndikimit të familjes Cheney në Partinë Republikane, që daton që nga koha e babait të saj në administratat Nixon dhe Ford, deri tek udhëheqja e republikanëve ne Kongres dhe mandati si zëvendëspresident.

Sigurisht, eliminimi i establishmentit të partisë ishte një premtim i fushatës së tij presidenciale, një tipar kryesor i Trumpizmit. Shumë kohë përpara se Trump të kandidonte për president, ai e kritikoi publikisht Ronald Reagan, e quajti Pat Buchanan një “dashnor të Hitlerit”, dhe në vitin 2013 shkroi për familjen Bush se “ne kemi nevojë për një tjetër Bush në Shtëpinë e Bardhë,po aq sa kemi nevojë që Obama të jetë president për një mandat të tretë”.

Edhe kështu, bëmat e Trump në zhdukjen e trashëgimive të familjeve që dikur dominonin  partinë, janë të jashtëzakonshme. Ai gati ia ka dalë të ndërpresë linjën e trashëgimisë politike të familjes Bush, duke e tallur për “energjinë e tij të pakët”, Jeb Bush, guvernatorin e atëhershëm të Floridas, në zgjedhjet paraprake të vitit 2016, duke e privuar kësisoj dinastinë Bush nga një i nominuar i tretë për president të vendit.

Kur mori vetë këtë post, Trump madje e përshkroi veten si një president “shumë më të madh” se sa Reagan.“Ai sulmon që të gjithë, madje edhe ish-presidentët”- thotë Mark Graul, një strateg i republikanëve në Wisconsin, që drejtoi fushatën e George W.Bush

Në vitin 2004. Liz Cheney, thotë ai, thjesht qëlloi të ishte vajza e ish-zv/presidentit. Për bazën e mbështetësve të Partisë Republikane, nuk ka asnjë rëndësi se kush është babai i Cheney, apo që ajo vetë është gruaja republikane që mban postin më të lartë në historinë e Kongresit Amerikan.

Partia që dikur mbështetej tek tradita, ka hyrë tani në procesin e braktisjes së shtyllave moderne mbi të cilat është ndërtuar. Merrni rastin e senatorit Mitt Romney, që është djali i ish guvernatorit të Miçiganit, dhe pretendentit për president George Romney, dhe kandidati presidencial i Partisë Republikane në vitin 2012.

Të nxitur nga armiqësia e vjetër e Trump ndaj Romney, fundjavën e shkuar dështoi një lëvizje e republikanëve të Utah për të censuruar senatorin. Por republikanët në shtetin e tij e sulmuan akoma më shumë atë në kongresin lokalë të partisë.

Në shënjestër është edhe senatorja Lisa Murkowski, vajza e Frank Murkowski, ish-senator amerikan dhe guvernator i Alaskës. Kur Murkowski votoi së bashku me 6 senatorë të tjerë republikanë për të dënuar Trump në gjyqin e tij të fajësimit, Trump u zotua të shkonte në Alaskë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit 2022, për të bërë fushatë kundër “një senatori të pabesë dhe shumë të keq”.

Partia Republikane e Alaskës e censuroi atë në muajin mars. Dhe pastaj është George W. Bush, ish zëvendëspresidenti i Bush Dick Cheney dhe vajza e Liz Cheney. Duke komentuar përplasjen midis Trump dhe familjes Cheney, Richard George, ish-anëtar i Komitetit Kombëtar Republikan nga Uajoming tha:“Unë mendoj se politika familjare ka bërë një gabim në këtë rast, dhe unë mendoj se edhe Liz gaboi”.

“Shumica e njerëzve në Uajoming e pëlqejnë familjen Cheney. Por ata janë vërtet të zhgënjyer nga mënyra se si votoi Liz në seancën e fajësimit”- tha ai. Nëse rezultati është zhbërja e trashëgimisë së familjes Cheney apo të tjerëve, George thotë se kjo do të jetë arsye për të festuar dhe jo pikëlluar.

“Zhbërja e dinastive politike, është diçka e shkëlqyer”- thotë ai. Por vetë Trump, nuk është se ka ndonjë neveri ndaj politikës dinastike, pasi kjo përfshin edhe familjen e tij. Fëmijët e ish-presidentit kanë ambicie për t’u bërë në të ardhmen pjesë e politikës amerikane.

Lara Trump, nusja e djalit të Trump, ka menduar të garojë për një vend të Senatit Amerikan në Karolinën e Veriut. Ndërsa Donald Trump Jr është pëlqyer aq shumë nga aktivistët republikanë, sa që në një sondazh përfundoi i treti si preferencë për kandidatin zyrtar në zgjedhjet e vitit 2024, ku sigurish nuk përfshihej emri i të atit të tij.

Edhe Ivanka Trump përmendet shpesh si një kundërshtare kryesore e senatorit të Floridas Marco Rubio. Ish menaxheri i fushatës së Trump, Brad Parscale, parashikoi në një rast se familja Trump do të bëhej “një dinasti që do të zgjasë për dekada”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime