Si ndodhi masakra pas fotove të publikuara në rrjetet sociale

schedule14:07 - 1 Maj, 2019

schedule 14:07 - 1 Maj, 2019

Dy ditë pas vrasjes së dyfishtë në Laç, policia ka siguruar dëshminë e të arrestuarve të dyshuar si autorë. Ata kanë treguar se konflikti nisi pas publikimit të fotove në rrjetet sociale.

Fotografitë e publikuar në rrjete sociale u bënë shkak i konfliktit mes 5 të rinjve në Laç të Kurbinit.  Sherr që përfundoi me dy të vrarë, kushërinjtë Erjon dhe Kelvin Jushi, 36 dhe 30 vjeç, dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Tre autorët që u vetëdorëzuan të martën në Komisariatin e Laçit u kanë treguar hetuesve detajet që çuan në masakrën e mbrëmjes së dielë. Referuar dëshmive,  viktimat dhe autorët njiheshin dhe mbrëmjen e ngjarjes ishin bashkë.

Fotot në Instagram u komentuan gjatë qëndrimit në lokal. Por pas një farë kohe komentet nuk ishin me miqësore. Aty nisi konflikti verbal mes kushërinjve Erjon e Kelvin Jushi dhe 28-vjeçarit Vinçens Bushi që u pasua me atë fizik jashtë lokalit.

Në ndihmë të Vinçensit shkuan edhe vëllezërit Markel dhe Manuel Bushi. Autorët pretendojnë se arma u përdor pasi edhe viktimat ishin të armatosur, por kjo nuk është vërtetuar nga hetuesit. Në vendngjarje u gjetën vetëm gëzhoja të qitura nga një armë e vetme.

Pistoleta  dyshohet se u përdor nga 25-vjeçari Markel Bushi, një person me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi viktimat po dhunonin Vinçens Bushin.

Qitjet ishin në një largësi 4-5 metra nga njëra tjetra duke lënë të plagosur rëndë Erjon dhe Kelvin Jushin, të cilët ndërruan jetë në spital në Tiranë.

Autorët Manuel Bushi 23 vjeç, Markel Bushi 25 vjeç dhe Vinçens Bushi 28 vjeç, të tre banorë të Laçit u larguan menjëherë për t’u dorëzuar të martën pas negociatave të dajës së tyre me shefin e Komisariatit të Laçit.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!