S’i ndali as pandemia, rritet numri i klandestinëve në Shqipëri, 3 mijë më shumë se një vit më parë

schedule15:27 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 15:27 - 23 Dhjetor, 2020

Nga Xhensila Kodra

Shqipëria mbetet korridori i emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga zonat e konfliktit, për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Europian. Shpallja e pandemisë kufizoi lëvizjen e tyre, nga Prilli në Qershor. Por fill pas kësaj periudhe, ata zbarkuan masivisht.

Në 10 muajt e parë të këtij viti janë ndaluar 11.709 klandestinë, të cilët kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet Shqipërisë, si vend tranzit, duke udhëtuar drejt vendeve të BE-së. Numrin më të lartë të personave të ndaluar e ka muaji Shtator.

Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, këtë vit, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë kapur 3069 klandestinë më shumë. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Largimi i tyre nga vendet e origjinës është për shkak të konflikteve të luftës, por edhe për varfërinë.

Kapja e numrit të lartë të emigrantëve këtë vit, është si rezultat edhe i bashkëpunimit që policia kufitare bëri me FRONTEX. Ata zgjedhin kryesisht brezin e gjelbër pranë pikës kufitare të Kapshticës.

Sapo kapen në kufi, një pjesë e tyre kërkojnë azil. Pas disa javësh qëndrimi, ata përdorin Malin e Zi apo Kosovën për t’u larguar sërish në rrugë ilegale.

Shpesh herë ata janë kthyer në shqetësim për qytetarët. Ata kanë qenë autorë të disa vjedhjeve, kryesisht të banesave, dyqaneve apo dhe në tregjet e fruta perimeve. Nuk kanë munguar rastet kur këto krime, kryheshin nën kërcënimin e thikës.

NDALIMET E KLANDESTINËVE

Janar                     1190

Shkurt                 1726

Mars                      1180

Prill                         171

Maj                        415

Qershor               923

Korrik                  1169

Gusht                    1450

Shtator               1993

Tetor                     1492

 

db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!