Si ndalet ciklit i dhunës në Lindjen e Mesme

schedule15:16 - 15 Maj, 2021

schedule 15:16 - 15 Maj, 2021

Nga David Makovsky & Dennis Ross, The Washington Institute

Skenat e tmerrshme që po përhapen në gjithë botën nga Gaza dhe Izraeli, burojnë nga një realitet i ri:Hamasi po përpiqet të ndryshojë rregullat e lojës, duke synuar të tregojë se mund të mbajë peng sjelljen e Izraelit përmes kërcënimeve të tij.

Në thelb udhëheqësit e Hamasit po thonë:“Hidhni dhe një hap tjetër që nuk na pëlqen në Jeruzalem apo diku tjetër, dhe ne do të lëshojmë raketa pa dallim kundër qyteteve izraelite”.Izraeli nuk do ta pranojë realitetin e tij të ri, dhe do të veprojë për të rivendosur parandalimin duke e detyruar Hamasin të paguajë një kosto shumë të lartë.

Por siç ka ndodhur edhe herë të tjera, janë palestinezët në Gaza ata që do të paguajnë koston më të madhe për ambiciet politike të Hamasit.Po cili është motivi i Hamasit? Thënë thjesht, udhëheqësit e saj e shohin periudhën aktuale si shansin e artë të marrjes së mantelit të udhëheqjes palestineze, duke besuar se 3 faktorë kanë krijuar një mundësi dhe një nevojë për ta bërë këtë pikërisht tani.

Së pari, përplasjet e përshkallëzuara në Jeruzalem, përfshirë atonë Xhaminë Al-Aksa, e kanë përqendruar vëmendjen dhe mobilizuar pasionet. Qyteti dhe kompleksi kontestohen si nga palestinezët ashtu edhe izraelitët:Myslimanët e shohin atë si vendin nga ku Muhamedi u ngjit në Parajsë.

Ndërkohë,hebrenjtë izraelitë e shohin atë si vendin e tempujve historikë hebrenj. Pra të dy popujt e shohin atë si thelbësore për lutjet e tyre. Kujtoni pak reagimin ndaj hapjes së Tunelit të Jeruzalemit pranë xhamisë Al-Aksa në vitin 1996, apo parakalimin e Ariel Sharon në Malin e Tempullit në vitin 2000, apo krizën e nxitur nga përdorimi i detektorit të metaleve në vitin 2017 për të pasur qasje në kompleks:ajo është dëshmuar shumë herë të jetë vatra më e madhe ndezëse e konflikti izraelito-palestinez.

Ndërsa feja dhe nacionalizmi janë të ndërthurura me njëra-tjetrën, udhëheqësit e Hamasit e kuptojnë se asnjë simbol tjetër nacionalist palestinez, nuk mund të shkaktojë një zemërim të tillë.

Së dyti, anulimi i zgjedhjeve të planifikuara parlamentare nga Mahmoud Abbas, i pari që nga viti 2006, shkaktoi një zhgënjim të madh tek palestinezët. Abbas, presidenti i Autoritetit Palestinez, u trondit nga kritikat se palestinezët nuk kishin qenë në gjendje të votonin që nga viti 2006, dhe ai mendoi të ankohet tek administrata e Biden duke shpallur zgjedhjet e reja.

Palestinezët reaguan me entuziazëm. Por në kushtet kur ishte shumë e mundur një përsëritje të fitores së Hamasit si në vitin 2006, pasi Fatah u fragmentua edhe një herë në 3 lista kandidatësh,ndërsa Hamas e ruajti disiplinën e tij me vetëm një listë, Abbas kërkoi një justifikim për të anuluar zgjedhjet.

Dhe ai e bëri atë këtë, duke pretenduar se Izraeli nuk do t’i lejonte të votonin palestinezët e Jeruzalemin Lindor. Por publiku e zbuloi pretekstin, ndërsa Hamasi pa shansin e artë. Së treti, Hamasi e kuptoi se po e humbet imazhin e tij si udhëheqës i rezistencës, dhe se po shndërrohet në një ruajtës të statuskuosë.

Gjatë 2 viteve të fundit, ai arriti me Izraelin një armëpushim de facto në Gaza, të njohur si “Marrëveshja”. Sipas këtij pakti, Izraeli do të bënte disa lëshime graduale ekonomike në

këtë rajon, duke nisur nga zbatimi i projekteve të infrastrukturës së Gazës, sidomos në zonat e peshkimit, në këmbim të mos përfshirjes së Hamasit në sulme ndaj Izraelit.

Ndërsa Hamasi e përdori kohën për t’u armatosur rëndë, ai po sfidohej gjithnjë e më shumë nga Xhihadi Islamik i mbështetur nga Irani dhe të tjerët, për të mos udhëhequr kauzën kundër Izraelit.

Kjo sfidë ishte shumë motivuese për këtë organizatë. Por Izraeli nuk do që ta pranojë militantizmin e ri të Hamasit. Përkundrazi, ai synon që t’i imponojë pagimin e një kostoje për këtë sjellje. Mjerisht, në kushtet kur udhëheqësit dhe luftëtarët e Hamasit janë pozicionuar qëllimisht në zona shumë të populluara, shpesh duke vendosur komandën në spitale apo xhami, do të ketë një kosto të tmerrshme në jetën e civilëve.

Asimetria themelore e këtij konflikti do të jetë shumë e dukshme, teksa izraelitët u bëjnë thirrje banorëve që të braktisin godinat, ndërsa Hamas hap zjarr pa dallim kundër civilëve. Kjo organizatë po përpiqet që të projektojë në publik imazhin si një mbrojtëse e popullit palestinez, por tunelet e hapura prej saj janë për të mbrojtur armët dhe luftëtarët e saj, dhe jo popullin.

Qeveritë arabe mund ta kritikojnë Izraelin për veprimet e tij në Jeruzalem dhe bombardimet e kryera, por ato janë shumë të kujdesshme ndaj dëshirës së Hamasit për të destabilizuar marrëdhëniet izraelito-arabe. Me përjashtim të Iranit, Turqisë dhe Katarit, udhëheqësit e tjetër po e shohin se çfarë nënkupton Hamasi për rajonin.

Dhe disa vende si Egjipti, kanë një fuqi reale për të përcaktuar një kurs më të mirë të ngjarjeve. Egjipti ka pasur në një rol thelbësor në arritjen e armëpushimeve midis Izraelit dhe Hamasit gjatë viteve të fundit.

Administrata Biden do të ishte e zgjuar nëse nis të bashkëpunojë sërish me Egjiptin për t’i dhënë fund ciklit të dhunës. Por nëse nuk dëshiron një përsëritje të asaj që po shohim tani, nevojitet një strategji më e madhe për Gazën dhe Hamasin.

Së pari, sulmet me raketa të Hamasit duhet të dënohen ndërkombëtarisht. Përtej kësaj, administrata amerikane duhet të mobilizojë një përpjekje ndërkombëtare për të rindërtuar Gazën me kushtin që Hamasi të çarmatoset.

Thelbi është ta bëjmë të qartë publikisht dhe në mënyrë të përsëritur atë që ofrohet për njerëzit e Gazës në drejtim të rindërtimit të madh të infrastrukturës. Por asnjë përpjekje e tillë e madhe nuk është e mundur, për sa kohë që Hamasi mund të nxisë një konflikt kur ai dëshiron. Pra, rritja e kostos për Hamasin nuk mund të matet vetëm në terma ushtarakë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim:David Makovsky është bashkëpunëtor i Washington Institute. Dennis Ross është këshilltar në këtë institut.