Si mund të shpejtohet shpërndarja globale e vaksinave

schedule19:13 - 23 Qershor, 2021

schedule 19:13 - 23 Qershor, 2021

Nga Katherine Aguirre, Gordon LaForge, Robert Muggah & Anne-Marie Slaughter, Foreign Policy

Në pamje të parë, shpërndarja globale e vaksinave anti-Covid është mbresëlënëse. Të paktën 2.4 miliardë njerëz, kanë marrë tashmë të paktën një dozë. Por nëse e analizoni pak më thellë situatën, do të shihni se pabarazia e shpërndarjes së vaksinave, ia zbeh shkëlqimin këtij procesi.

Vetëm 480 milion njerëz janë vaksinuar plotësisht, ose vetëm 6.2 për qind e popullsisë globale. Për më tepër, mbi gjysma e të gjitha dozave të administruara janë injektuar në krahët e qytetarëve nga vetëm dy vende:Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Pas samitit të tyre në Angli javën e shkuar, udhëheqësit e vendeve të G-7 u zotuan t’u dhurojnë vendeve të varfra një shtesë prej 1 miliardë vaksinash anti-Covid këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Administrata Biden tha se 500 milionë nga këto doza do të sigurohen nga Shtetet e Bashkuara, kryesisht përmes nismës COVID-19 Vaccines Global Access (COVAX), e menaxhuar nga Aleanca Globale e Vaksinave (GAVI) dhe Koalicioni për Inovacione dhe Gatishmërinë Epidemike.

Kina po shpërndan vaksinat e saj për të çuar përpara qëllimet e politikës së saj të jashtme, pasi ka eksportuar deri më tani më shumë se 250 milionë doza tek vendet e tjera. Pavarësisht zgjerimit të diplomacisë së vaksinave, nevojiten shumë më shumë investime.

Më pak se 1 për qind e miliarda dozave të vaksinave të administruara deri më tani, kanë shkuar për vendet me të ardhura të ulëta. Me shkallën aktuale të shpërndarjes, do të duhet të mbërrijë viti 2024, para se të gjitha vendet të kenë furnizime të mjaftueshme për të vaksinuar popullatat e tyre.

Por nuk është vetëm nacionalizmi i vaksinave dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimeve, ato që e ngadalësojnë vaksinimin në vendet e varfra, por edhe kufizimet financiare. Për të arritur edhe qëllimin më modest të vaksinimit të 20 për qind të njerëzve në 92 vende me të ardhura të ulëta deri në fund të vitit, COVAX ka deklaruar se i duhen 2.8 miliardë dollarë shtesë.

Vonesa në këtë proces është e rrezikshme dhe e kushtueshme për të gjitha vendet. Shpërthimet e përsëritura epidemike do ta zgjasin ngadalësimin e ekonomisë globale, e cila tashmë i ka kushtuar botës 28 trilionë dollarë në PBB-në e humbur. Nëse deri në këtë verë do të vaksinohen plotësisht vendet e pasura, dhe ato në zhvillim mbeten të pa vaksinuara, humbjet ekonomike globale do të shtohen me 9 trilionë dollarë të tjera.

Dhe sa më shumë që lejohen të përhapen variantet më infektive dhe vdekjeprurëse të Covid-19, aq më i madh është rreziku që të shfaqet një lloj virusi rezistent ndaj vaksinës. Siç është shprehur presidenti amerikan Joe Biden:Në fund të fundit,ne nuk do të jemi të sigurt derisa e gjithë bota të jetë e sigurt!”

Prandaj nevojitet një përpjekje urgjente për të financuar COVAX dhe në veçanti GAVI-n. Deri më tani, fokusi ka qenë tek ajo që mund të bëjnë qeveritë. Hartëzimi i rrjetit të financimit për GAVI-n dhe COVAX zbulon 2 tipare intriguese të mjedisit aktual të financimit.

Së pari, qeveritë kanë siguruar pjesën e luanit të mbështetjes financiare për këto 2 programe. Nga 9.5 miliardë dollarë të premtuara, 8.8 miliardë dollarë janë dhënë nga qeveritë kombëtare. Së dyti, edhe pse financimi i mbetur përbën vetëm një pjesë të vogël, ai vjen nga një grup çuditërisht i larmishëm organizatash, duke përfshirë fondacione filantropike, korporata si Visa dhe Google, madje edhe grupime të shoqërisë civile si festivali bamirës i lojërave video “Gamers Without Borders”.

Edhe para pandemisë së Covid-19, GAVI kishte vaksinuar gati 900 milionë fëmijë për t’i mbrojtur ndaj sëmundjeve infektive. Qendrat e ndikimit si GAVI,ofrojnë një model për një lloj të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar, të orientuar më tepër rreth rrjeteve me shumë aktorë, sesa drejt shteteve kombëtare.

Ato formojnë bazën e asaj që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres e quan “multilateralizëm i rrjetëzuar”, në të cilin vendet anëtare – bashkë me agjencitë e OKB-së, institucionet ndërkombëtare financiare, bizneset, grupimet filantropike, qeveritë rajonale dhe komunale dhe organizatat e shoqërisë civile – bashkëpunojnë për të zgjidhur problemet më të vështira që bota ka sot.

Për të forcuar GAVI-n si një qendër ndikimi, dhe për të demonstruar efikasitetin e multilateralizmit të rrjetëzuar, Kombet e Bashkuara duhet të udhëheqin një përpjekje për mbledhje fondesh, për të mbledhur sa më shumë kontribute financiare nga sektorët filantropikë dhe privatë.

Megjithëse një grup i larmishëm organizatash po kontribuojnë tashmë tek GAVI,fondet totale që kanë grumbulluar ato janë ende relativisht të vogla:vetëm 331 milionë dollarë. Dhe gati gjysma e tyre vijnë nga një donator i vetëm:Fondacioni “Bill & Melinda Gates”.

Ekziston një mundësi e qartë që sektorët filantropikë dhe privatë të shtojnë kontributin e tyre. Sipas një studimi të udhëhequr nga UBS, sot ka më shumë se 260.000 fondacione në 39 vende të botës, me asete totale në shumën 1.5 trilionë dollarë.

Vetëm shpenzimet vjetore të të gjitha këtyre fondacioneve, janë mbi 150 miliardë dollarë në vit, gjë që sugjeron se është tërësisht e mundur të rritet ndjeshëm mbështetja financiare. Kombet e Bashkuara mund t’i bëjnë thirrje cilësdo nga afro 6.000 korporatat që nënshkruan në Marrëveshjen Globale të OKB-së, një marrëveshje nën të cilën nënshkruesit i përkushtohen 10 parimeve të qëndrueshmërisë.

Edhe sikur seicila prej këtyre kompanive të mëdha të zotohej se do të jepte nga 10 milionë dollarë për GAVI-n, do të dyfishohej kontributin ekzistues nga sektori privat dhe filantropik. Dhe ky mision nuk duhet të jetë shumë i vështirë.

500 kompani të mëdha shpenzojnë 20 miliardë dollarë çdo vit, vetëm për nismat e përgjegjësisë sociale të korporatave, pra mesatarisht 40 milionë dollarë secila. Vaksinimi global është një domosdoshmëri urgjente dhe kontribuimi në këtë fushatë, do të forconte imazhin e një kompanie dhe do të rriste moralin e saj.

Përveçse është gjëja e duhur që duhet bërë ajo gjithashtu është shumë fitimprurëse. Pandemia po i kushton industrive globale – nga turizmi dhe linjat ajrore deri tek shërbimet ushqimore dhe shitja me pakicë – miliarda dollarë të ardhura të humbura.

Në fund të fundit, rimëkëmbja ekonomike globale varet nga vaksinimi. Kontributi i një korporate nuk është aq shumë një donacion sesa sa një investim me ndikim, që do të garantonte përfitime sociale edhe ekonomike. Ky mision mund të frymëzohet edhe nga Fondi i Reagimit Solidar ndaj Covid-19 i krijuar që në fillim të pandemisë.

I krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondacioni i Kombeve të Bashkuara, ai mblodhi donacione për të financuar qasjen e barabartë në trajtimin e Covid-19 për popullatat më të rrezikuara. Në një hark të shkurtër kohor, OBSH mblodhi më shumë se 250 milionë dollarë nga 100 kompani dhe 660.000 individë në 190 vende të botës.

Përfundimi i pandemisë është vetëm hapi i parë për rimëkëmbjen ekonomike. Covid-19 ka shkaktuar pengesa për pothuajse secilin nga “Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm” të Kombeve të Bashkuara, nga ulja e varfërisë dhe pabarazisë, tek përmirësimi i shëndetit dhe arsimimi.

Pandemia gjithashtu ka përshpejtuar sfidat urgjente të sigurisë, nga dëmet në fushën  dixhitale tek përballjet ushtarake. Nëse sistemi aktual i bashkëpunimit global nuk arrin ta ndihmojë botën të rimëkëmbet, ankesat dhe mosbesimi ndaj Kombeve të Bashkuara dhe vendeve anëtare vetëm sa do të shtohen. Nëse bota do të rindërtohet për t’u bërë më e mirë – dhe zhvillon aftësinë për të adresuar krizat e ardhshme – atëherë duhet të ndërmerren hapat e lartpërmendura. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al