Si kurrë më parë! Rama “me top” ndaj SPAK, deklaratat e Yuri Kim dhe a jemi para një “tërmeti”?

schedule12:55 - 11 Maj, 2022

schedule 12:55 - 11 Maj, 2022

Deklaratat e sotme të Ramës duke kërkuar hapur nga SPAK që të hetojë Berishën dhe gjyqtarë e prokurorë të tjerë që janë të korruptuar sipas tij, ndërkohë që drejtonte gishtin te dosjet nën bërrylat e Ulsi Manjës, ishin epilogu i një retorike të shtuar të vetë kreut të qeverisë në këtë drejtim.

Ashtu siç e tha edhe vetë sot krah Ulsi Manjës, Rama do të mbahet mend si kryeministri, gjatë mandatit të të cilit u bë reforma më e thellë në drejtësinë e vendit, gjë të cilën ai e shtyu dhe e mbështeti duke patur nga pas edhe inkurajimin e ndërkombëtarëve dhe sidomos amerikanëve.

Mirëpo gjërat kanë ndryshuar katër vite pas fillimit të procesit të vettingut dhe tre vjet pas ngritjes së SPAK, ose të paktën kështu duket nga jashtë.

SPAK ka arrestuar disa zyrtarë të lartë deri më tani duke përfshirë edhe dy ish-ministri si Saimir Tahiri dhe Lefter Koka, krahas deputetit Alqi Bllako dhe ish-zv.ministres Rovena Voda.

Lexoni KËTU gjithçka mbi deklaratat e kryeministrit

Mirëpo kjo sipas Ramës nuk mjafton dhe misioni i SPAK sipas tij nuk do të përmbushet nëse nuk heton edhe “non gratat” duke patur si fokus Berishën si edhe gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë.

Fakt është se deri më tani, hetimet e SPAK në nivele të larta janë shtrirë vetëm në drejtim të maxhorancës duke u mjaftuar me vëtëm disa gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të ulta, ndërkohë që ende asnjë nga ato që do të quheshin “goditje të forta” nga ish-ministrat e qeverisjes së djathtë.

Kjo është edhe pritshmëria e qytetarëve sipas asaj që Rama tha sot.

Pse kjo qasje tani?

Gjithçka nisi në Kongresin e PS-së teksa Rama përballë mijëra socialistëve kërkoi hapur nga SPAK që të hetonte Berishën. Kryeministri bëri një paralelizëm me ish-zv.ministren Rovena Voda duke theksuar se ajo u hetua për një arkë peshk.

Edi Rama, 9 prill 2022

“Burgoset një grua për një kile peshk, dhe  është që SPAK vihet natyrshëm në lëvizje dhe nga një deklaratë partie, kuptohet deklaratë e partive të tjera, jo e jona, për këdo zyrtarë të lartë, akoma nuk është vënë në lëvizje nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht më 30 vite nga aleati më i madh i Shqipërisë, jo për një njeri po për krejt Shqipërisë, sepse ai ka drejtuar Shqipërinë, SPAK ka detyrim qe e tejkalon shtetasin e ndaluar familjarisht që të hyjë në SHBA, se ajo deklaratë nuk mund të rrijë aty, ose ka bazë ose jo.

Deklarata bëri bujë në media dhe nxiti shumë komente në rrjetet sociale, por vetëm kaq. Përballë një situate të tillë, Rama e testoi sërish opinionin publik dhe ndërkombëtare duke shënjestruar sërish SPAK-un, tashmë përmes Asamblesë së PS-së. Me të njëjtën retorikë, kryeministri kërkoi që SPAK të kthente bateritë nga ish-kryeministri Berisha.

Edi Rama 7 maj 2022

Zonja dhe zotërinj të SPAK zgjohuni dhe dilini në mbrojtje Shqipërisë se Shqipëria është e turpëruar para një ‘Non Grata që i bën karshillik një bote. Këtë turp ta mbaj SPAK, në deklaratën e DASH e ka të qartë të bëjnë detyrën e tyre në atë përfundim dhe kjo nuk është për Amerikën, revolta ime dhe e jona nuk është se po na ofendohet Amerika apo se po fyhet Amerika, jo fare, është se po delegjitimohet SPAK dhe sistemi i drejtësisë që kanë ngatërruar detyrat e drejtësisë penale me përgjegjësi administrative, që kanë ngatërruar nevojën për drejtësi me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njerëzve.

Një deklaratë e tillë, kaq e drejtpërdrejtë nuk mund të mbetej pa përgjigje kësaj radhe. I pari ishte Arben Kraja që tha se SPAK operon me kallëzime dhe jo me deklarata politike, por përgjigjen më të forta Rama do ta merrte nga ambasadorja Yuri Kim që ka mbështetur fuqishëm organet e reja të drejtësisë.

Kim i kujtoi Ramës se nuk mund të sillej si kryeministrat e mëparshëm me drejtësinë e re duke thënë se drejtësia ishte vënë në vend kur dënoheshin kundërshtarët dhe se çalonte kur burgoseshin të vetët.

Yuri Kim 9 maj 2022

Reforma në Drejtësi do të quhet e suksesshme kur ne të mendojmë se nuk është e pranueshme që një lider politik në pushtet apo jo të kërkojë hetimin e njërit apo tjetrit duke thënë se drejtësia është vënë në vend kur kundërshtari nuk është futur në burg dhe të kundërtën kur bashkëpuëtori është burgosur.

Kjo nuk është drejtësi, nuk janë këto standarded që ne kërkojmë të arrijmë në Shqipëri. Nuk janë këto standarded që presin shqiptarët kur flasin për Reformën në Drejtësi.

Kaq u desh që në media të nisnin spekulimet mbi një tension mes Ramës dhe ambasadores Kim në lidhje me institucionet e reja të Drejtësisë në një kohë kur SPAK vijon hetimet për aferën e inceneratorëve.

Rama ka thënë vazhdimisht se nuk është i shqetësuar se përse hetohen të tijtë, madje ka theksuar se do t’i çonte vetë për veshi në SPAK nëse kapeshin duke vjedhur.

Institucionet e reja të drejtësisë kanë qenë vazhdimisht objekt i akuzave nga opozita se po i shërbenin agjendës së maxhorancës dhe kjo është hera e parë që vihen nën objektivin e vetë maxhorancës. Zhvillimet në ditët në vijim dhe ecuria e hetimeve për inceneratorët do të konfirmojnë nëse gjithçka po ndodh është rezultat i një lëvizjeje tektonike brenda maxhorancës apo thjesht një parapërgatitje në diskursin politik në kuadër të zgjedhjeve lokale. /E.S

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!