Pas një sezoni të vështirë vitin e kaluar, duket se Real Madrid është rikthyer aty ku e ka vendin. Puna e trajnerit Zidane po jep rezultatet e veta dhe madrilenët kryesojnë La ligën me tre pikë më shumë se Barcelona e vendit të dytë.
Kur tekniku francez e rimori drejtimin e Realit, ai mbajti një fjalim para lojtarëve dhe stafit. “Nuk është normale, ja për shembull Modric e ka fituar vetëm një herë kampionatin,” ishin fjalët e Zidane. Kroati mbërriti në Madrid verën e vitit 2012 dhe deri më tani numëron vetëm titullin e vitit 2017. Shumë pak për një ekip si Reali, i cili në Europë ka dominuar.
Që nga fillimi i shekullit të ri, galaktikët e kanë fituar La Ligën 6 herë në 19 sezone. Edhe pse nuk kanë fituar shumë në vitet e fundit, ata mbetën sërish klubi që e ka prekur më shumë herë titullin, plot 33 herë. Këtë sezon gjërat po shkojnë mirë dhe duket viti i duhur për të rifituar kampionatin në kampin madrilen. /abcnews.al