Si i kanë forcuar dronët grupet terroriste në Afrikë

schedule20:30 - 31 Gusht, 2024

schedule 20:30 - 31 Gusht, 2024

Ekspertë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara thonë për Zërin e Amerikës se grupet terroriste në Afrikë po rrisin përdorimin e dronëve për të kryer operacione që më parë mund të kryeshin vetëm nga ushtritë e këtyre vendeve. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim vështirësive me të cilat përballen disa prej vendeve afrikane, nga Somalia në Sahel, në përballjen e tyre me kryengritjet.

Këto imazhe dronësh, të cilat Zëri i Amerikës nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë në mënyrë të pavarur, mendohet se tregojnë sulmin e grupit al-Shabab në një aeroport në Kenia në vitin 2021. Po kështu duket se tregojnë pamjet e një sulmi të koordinuar me dronë në Mali dhe Nigeri, nga grupi i armatosur i militantëve islamistë JNIM dhe atij të ashtuquajtur Provinca e Afrikës Perëndimore e Shtetit Islamik (ISWAP).

Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, grupet terroriste në Afrikë të lidhura me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik po përdorin gjithnjë e më shumë dronët komercialë, për të kryer operacione.

“Këto mjete ajrore u mundësojnë atyre që të kenë një pamje më të mirë të fushës së betejës dhe mjediseve operative. Po kështu u sigurojnë atyre një mënyrë të re për të mbledhur informacion dhe për të planifikuar e koordinuar sulme, ndonjëherë me një shkallë më të lartë saktësie dhe viktimash”, thotë Barbara Morais Figueiredo, e Institutit të OKB-së mbi Çështje të Çarmatimit.

Ekspertët theksojnë se ushtritë që luftojnë kundër kryengritjeve dhe përballen me kërcënime terroriste nga ajri, për herë të parë janë në disavantazh.

Karen Allen, këshilltare e lartë për çështje kërkimore në Institutin për Studime të Sigurisë, ka shkruar gjerësisht mbi përdorimit të dronëve nga grupet terroriste.

“Kjo u përçon një sinjal të rëndësishëm psikologjik grupeve të armatosura që në të kaluarën mund të kenë qenë në disavantazh në krahasim me ushtritë e rregullta. Pra, në fushëbetejë ata janë kundërshtarë të barabartë”.

Ndërsa nuk dihet me saktësi se në sa raste janë përdorur dronët nga grupet terroriste në Afrikë, incidente janë regjistruar në Somali, Republikën Demokratike të Kongos, Nigeri dhe Mozambik.

Zonja Figueiredo thotë se Saheli Qendror ka mbajtur barrën e kësaj prirjeje të re, e cila është përhapur nga ISIS-i dhe al-Kaeda në Irak dhe Siri, në degët e tyre në Afrikë.

Zonja Allen shton se përdorimi i dronëve nga grupet terroriste është i vështirë për t’u ndalur sepse ato blihen lehtësisht në internet.

“Mendoj se ka një vështirësi reale për të ndalur përdorimin e një teknologjie me përdorim të dyfishtë. Mendoni telefonin celular. Një telefon celular mund të përdoret në pjesën më të madhe të rasteve për komunikim dhe të ketë një qëllim krejtësisht të mirë, por mund të përdoret gjithashtu për ndezur një mjet shpërthyes”.

Ekspertja shton se vendet afrikane duhet të investojnë në sistemet anti-dronëve, përfshirë teknologjinë që bllokon sinjalet e radios, çaktivizon dronët dhe madje edhe lazerët kundër dronëve./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!