Si e kanë ndryshuar SHBA-në politikat kryesore të Trump

schedule11:40 - 18 Janar, 2021

schedule 11:40 - 18 Janar, 2021

Presidenca e Donald Trump është përcaktuar nga dy fakte kryesore: shpërfillja e normave politike dhe dy fajësime historike.

Trump kërkoi të përdorte me qëllim politikën e brendshme dhe të jashtme, duke ndryshuar rrënjësisht rolin e Amerikës në botë. Dhe ai ndërpreu status quo-në në Uashington, duke ri-kalibruar rolin e qeverisë federale në jetën e përditshme amerikane përkohësisht dhe për një efekt afatgjatë.

Disa nga vendimet më domethënëse të Trump, siç janë emërimet gjyqësore, do të diktojnë përbërjen ideologjike të gjykatave për dekada. Gjithashtu imigracioni dhe politikat e sigurisë kufitare, në formën e një muri kufitar SHBA-Meksikë, ka të ngjarë të mbetet e gdhendur në peizazhin e Amerikës edhe pas presidencës së tij.
Veprime të tjera, mund të zhbëhen përmes procesit rregullator ose sapo Joe Biden të marrë presidencën.
Por veprimet e Donald Trump do të kenë një ndikim të gjatë në jetën amerikane, duke filluar nga puna, te shkollat edhe deri te llojet e llambave që mund të blejnë.

Më poshtë janë disa nga mënyrat më domethënëse që politikat dhe veprimet e Trump ndryshuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pandemia dhe shëndeti publik

 

Përgjigja federale ndaj pandemisë ishte fokusi më i madh i administratës gjatë vitit të fundit të presidentit në detyrë – dhe dështimi i tij më i madh.
Trump mbajti tubime të mëdha në muajt e fundit të zgjedhjeve të mbushura me turma të demaskuara ndërsa pandemia po përhapej kudo, ai nuk pranoi të vendoste maskën ose të praktikonte distancën sociale dhe minimizoi publikisht seriozitetin e koronavirusit.

Në fillim, Shtëpia e Bardhë dhe presidenti morën shumë pak masa të menjëhershme. Qeveria federale u përpoq të siguronte pajisje mbrojtëse personale dhe pajisje mjekësore në spitalet dhe në azilet në SHBA-së.

Testimi ishte një kaos. Dhe, megjithëse nuk ishte një politikë zyrtare, Trump dhe aleatët e tij shpërfillën haptazi udhëzimet që administroi ai – siç janë mbajtja e maskave, distancimi shoqëror, shmangia e udhëtimeve dhe shmangia e tubimeve të mëdha.

Kjo çoi në shpërthime midis anëtarëve të administratës (përfshirë vetë Trump) dhe mbështetësve.

Fitorja e vetme ishte zhvillimi i shpejtë i dy vaksinave të koronavirusit që u autorizuan në dhjetor. Por pjesa tjetër e menaxhimit të pandemisë u shënua nga hapa të mëdhenj, dhe ndonjëherë edhe fatal.

Nuk ka asnjë trajtim të mirë, specifik për infeksionin e koronavirusit dhe përpjekjet e SHBA-së për të gjetur një ilaç për të ndihmuar kundër koronavirusit ishin krejtësisht të padobishme, veçanërisht hidroksiklorokina.

Para pandemisë, kriza e opioidit ishte fokusi kryesor i shëndetit publik të administratës së Trump. Presidenti shpalli emergjencën e shëndetit publik lidhur me këtë çështje dhe nënshkroi një legjislacion që rriti fondet për epideminë.

Sidoqoftë, përpjekjet kanë pasur rezultate të ndryshme.

Imigracioni

 

Politikat e imigracionit të Trump kanë qenë gjithmonë në qendër të presidencës, që kur ai shpalli kandidaturën dhe deklaroi se migrantët që vinin në SHBA nga Meksika ishin përdhunues dhe kriminelë.

Administrata lëshoi qindra veprime ekzekutive që kufizojnë imigracionin e ligjshëm dhe të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, duke filluar me një nga veprimet e para si President: ndalimin e udhëtimit, i cili është kritikuar si një përpjekje për të ndaluar myslimanët.

Disa nga përpjekjet kufizuese të imigracionit të administratës Trump janë bllokuar nga gjykatat.

Administrata e Trump gjithashtu ndau mijëra familje në kufirin SHBA-Meksikë nën politikën e diskutueshme të “tolerancës zero” dhe ndërtoi qindra pengesa të reja në kufi.

Gjithashtu, pezulloi pjesën më të madhe të imigracionit të bazuar në familje dhe një numër vizash të punëtorëve deri në fund të vitit, me disa përjashtime, duke përmendur papunësinë e lartë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Në ditën e parë të presidencës së tij, Biden pritet të miratojë disa vendime ekzekutive duke pezulluar kështu urdhrat e emigracionit të Trump.

Ekonomia

 

Megjithëse Trump është mbështetur kryesisht në fitimet nga tregu i aksioneve, ka rritur pagën e sektorit publik dhe ka ulur papunësinë si pikat kryesore të presidencës së tij. Shumë nga ato arritje ekonomike u zbehen pasi shpërtheu pandemia.

Pothuajse tetë milionë janë varfëruar që nga qershori, sipas studiuesve nga Universiteti i Chicagos dhe Universiteti i Notre Dame. Shkalla e varfërisë u rrit në 11.7 për qind në nëntor, nga 9.3 për qind në qershor. Kjo është gati dyfishi i rritjes më të madhe vjetore të varfërisë që nga vitet 1960.

Rritja e shkallës së varfërisë është rritur në mënyrë dramatike midis amerikanëve me ngjyrë, sipas studimit.

Fitorja e vetme e madhe e Presidentit ishte ulja e taksave. 

Papunësia në vitin 2019 ra në nivelin e tyre më të ulët që nga viti 1969, por kjo ishte para se pandemia e koronavirusit të shkatërronte bizneset amerikane dhe ekonominë.

Tani, më shumë se 10 muaj nga pandemia, tregu i punës në SHBA vazhdon të jetë i lëkundur.

Dhe ndërsa Trump mund të mburret me një fitim vjetor më të lartë se mesatarja 3.32 për qind në të ardhurat reale për frymë, kjo mesatare fsheh shkallën e fitimeve për të pasurit, të cilët përfituan në mënyrë disproporcionale nga uljet e taksave.

Tregtia

 

Trump e cilësoi vetën një biznesmen të kthyer në politikan që nuk do të lejonte shtetet e ndryshme të përfitonin në krah të SHBA-së.
Ky mendim nacionalist u manifestua në disa mënyra, por veçanërisht në tregti – duke ndikuar në koston e mallrave nga e gjithë bota dhe duke ndryshuar tregun e punës në Amerikë.

Trump doli nga Partneriteti Trans-Paqësor gjatë muajit të tij të parë në detyrë. Administrata zhvilloi një luftë tarifash kundër partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së, duke bërë që çmimet e shumë produkteve të bëra prej metalit të rriteshin.

Administrata rinegocioi marrëveshjen NAFTA me Kanadanë dhe Meksikën, duke e riemëruar atë USMCA. Administrata gjithashtu arriti një marrëveshje tregtare me Kinën, por marrëdhëniet me Kinën u tensionuan, kryesisht për shkak të pasojave nga pandemia e koronavirusit.

Tarifat e Trump “mblodhën” 80 miliardë dollarë për amerikanët. Presidenti në një fare mënyre e pranoi që lufta e tij tregtare i dëmtoi fermerët dhe se për të kompensuar ata, ai vuri në zbatim taktikat e subvencionimit që binin në kundërshtim me parimet anti-socialiste për të cilat ai tha se beson.

Falimentimet e fermave para dhe gjatë pandemisë u rritën. Pavarësisht përpjekjeve të Trump për të rritur prodhimin e kompanive amerikane në SHBA, impiantet amerikane të automjeteve u mbyllën.

Drejtësia dhe Departamenti i Drejtësisë

 

Nga të gjitha politikat e Presidentit, emërimet gjyqësore janë më të qëndrueshmet: Ai emëroi me sukses qindra gjyqtarë federalë dhe tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, duke vendosur një ndikim të fortë konservator për dekada.

Por ai është pjesë e historisë së –presidenti i vetëm që është fajësuar dy herë.

Ai refuzoi të pranonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 për muaj me radhë, dhe nxiti aq shumë mosbesim në procesin demokratik midis mbështetësve të tij sa që çoi në dhunë vdekjeprurëse në Kapitolin Hill. Trump pushoi nga puna Drejtorin e FBI-së, James Comey dhe akuzoi publikisht pasardhësin e tij, Chris Wray.

Ai pushoi nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Session dhe në fund të vitit të kaluar, pasardhësi i tij, Bill Barr dha dorëheqje në më pak se dy muaj para përfundimit të mandatit presidencial.

Administrata Trump njoftoi në korrik 2019 se do të rivendoste dënimin federal me vdekje. Trembëdhjetë të dënuar me vdekje federale janë ekzekutuar në gjashtë muaj . Trump u përball me një sërë padish që sfidojnë politikat e tij, praktikat e tij të biznesit dhe sjelljen e tij personale.

Shumë nga ato beteja ligjore do të vazhdojnë edhe pasi ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Arsimi

 

Përpjekjet e Trump rreth arsimit vërtiteshin kryesisht rreth çështjes së zhvillimit të mësimit dhe përpjekjeve simbolike .
Administrata pati sukses afatshkurtër për sa i përket shkollave, duke përfshirë rritjen e fondit vjetor për zgjerimin e kartës dhe lejimin e 529 planeve të kursimeve që të përdoren për arsimin K-12.

Sekretari i Arsimit Betsy DeVos gjithashtu riktheu dy politika të epokës së Obamës që ishin kryesore për kolegjet që kanë përfituar nga administrata e mëparshme.

Trump krijoi një komision të sigurisë në shkolla që çoi në shfuqizimin e udhëzimeve të epokës së Obamës për të adresuar pabarazitë racore në mënyrën se si disiplinohen studentët.

Pas dy viteve, komisioni hapi SchoolSafety.gov, një zyrë federale e informacionit për të ndihmuar shkollat.

Administrata gjithashtu tërhoqi mbrojtjen e epokës së Obamës për nxënësit transgjinorë në shkollat publike. Dhe në vitin e tij të fundit në detyrë, ndërsa amerikanët me ngjyrë protestuan për brutalitetin e policisë, Trump mori një iniciativë kundër përpjekjeve për të portretizuar racizmin dhe skllavërinë në historinë e shkollës duke përfshirë krijimin e “Komisionit 1776” për “promovimin e arsimit patriotik”.

Por me përfundimin e presidencës së Trump, nuk ka gjasa të ketë një ndikim në programet mësimore të ardhshme të SHBA-së.

Energjia dhe mjedisi

 


Trump në një deklaratë gjatë vitit të parë të presidencës tha se do të tërhiqej nga Marrëveshja e Klimës në Paris. Ai gjatë njoftimit, tha se kishte për qëllim të tërhiqej nga marrëveshja pasi sipas tij kishte ngarkesa financiare “drakoniane” mbi popullin amerikan.

Është një nga shumë rastet kur Trump ka dalë nga një marrëveshje ndërkombëtare ku ka vënë re që SHBA-ja po trajtohej padrejtësisht.
Biden ka thënë se ai planifikon që SHBA të bashkohet me Marrëveshjen e Klimës së Parisit në ditën e tij të parë në detyrë.

SHBA është gati në gjysmën e rrugës, të marrëveshjes për të ulur emetimet, por jo në rrugën e duhur për ta përmbushur atë, sipas New York Times.
Ashtu si Trump përmbysi shumë nga politikat e mjedisit të Obamës përmes urdhrit ekzekutiv, Biden pritet të bëjë të njëjtën gjë me politikat e Trump.

Presidenti shpesh ka theksuar që SHBA ka “ajrin më të pastër” dhe “ujin më të pastër” në botë, por SHBA renditet e 16-ta në cilësinë e ajrit në botë dhe e 26-ta në cilësinë e kanalizimeve dhe ujit të pijshëm.

Siguria kombëtare, mbrojtja dhe punët e jashtme

 

 

 

Strategjia e mbrojtjes së Trump u drejtua nga përpjekjet për të shtyrë SHBA-në të mos  përfshihet nga luftërat e huaja.Dhe strategjia e tij e punëve të jashtme ishte e dominuar nga besimi se SHBA-ja po përfitonte nga kombet e tjera, përfshirë aleatët.

Ai përqendrua më tepër te marrëdhëniet e jashtme, si bizneset e tij, duke u mbështetur te besnikët jashtë zyrave diplomatike dhe ushtarake.
Ndërsa Trump ishte në detyrë, Shtetet e Bashkuara tërhoqën trupat nga Siria, Gjermania, Somalia, Afganistani dhe Iraku.

Trump autorizoi përdorimin e bombës më të fuqishme jo-bërthamore të Amerikës, duke vrarë gati 100 luftëtarë të ISIS-it në Afganistan në vitin 2017. Ai autorizoi vrasjen e liderit të grupit terrorist, Abu Bakr al-Bagdadi, në vitin 2019.

SHBA dhe Talibanët nënshkruan një marrëveshje historike duke tërhequr trupat amerikane nga Afganistani.

Por Trump nxiti më tepër tensionet, duke tërhequr SHBA-të nga Marrëveshja Bërthamore e Iranit dhe duke urdhëruar vrasjen e komandantit të lartë iranian, Qasem Soleimani.Administrata e tij ndërmjetësoi marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme dhe zhvendosi ambasadën e SHBA-së, në Jeruzalem.

Administrata gjithashtu anuloi shumë nga përpjekjet e presidentit, Barak Obama për të përmirësuar marrëdhëniet me Kubën.
Gjithashtu, administrata e tij gjithashtu shënjestroi regjimin e Nicolas Maduros në Venezuelë.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura që SHBA-ja të mos shërbejë si police e botës, ai kërkoi rritje të shpenzimeve ushtarake.

Dhe kur Trump nënshkroi Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare në vitin 2019, ai krijoi shërbimin më të ri ushtarak dhe shërbimin e parë të ri që nga fillimi i krijimit të forcave ajrore në 1947. Gjithashtu, ai i shtyu aleatët të rikthejnë Rusinë në grupin e G7.

Ai gjithashtu u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet me Korenë e Veriut dhe mbështeti liderët shpesh të cilësuar si nacionalistë – të tillë si Rodrigo Duterte në Filipine, Jair Bolsonaro në Brazil, Viktor Orban i Hungarisë dhe Andrzej Duda i Polonisë.

Një tjetër shenjë dalluese e politikës së tij të jashtme ishte qasja ndaj Rusisë – me pak fjalë , hezitimi i tij për të veçuar agresionin rus dhe, ndonjëherë, të mbështeste udhëheqësin e saj, Vladimir Putin, pavarësisht paralajmërimeve të aleatëve dhe këshilltarëve të tij.

Ai nuk pranoi të dënonte Putin ose qeverinë e tij për rolin e tyre në ndërhyrjen e zgjedhjeve të huaja dhe përhapjen e dezinformatave, hakimin e agjencive federale apo edhe helmimin e disidentëve.

Kujdesi shëndetësor

 

Përpjekjet e Trump për kujdesin shëndetësor ishin kryesisht të motivuara nga përpjekjet për të zhbërë ligjin historik të paraardhësit të tij – Aktin e Kujdesit të Përballueshëm.

Ai zbatoi gjithashtu një mori rregullash që synonin të përmirësonin bazën e tij ungjillore, siç ishin kundërshtimet e lirisë fetare.
Në përpjekjet e dukshme për t’u bërë thirrje të moshuarve dhe fokusin e tij nacionalist për një kohë të gjatë –ai gjithashtu ndoqi politika që synonin transparencën e çmimeve dhe përputhjen e kostove me vendet e tjera.

Administrata Trump u mundua shumë të dobësonte Obamacare – duke përfshirë shkurtimin e periudhës së regjistrimit të hapur në gjashtë javë, shkurtimin e buxhetit të reklamave me 90 për qind dhe eliminimin e fondeve për ndihmën e regjistrimit.

Gjithashtu në vitin 2017, Presidenti eliminoi pagesat federale që ndihmojnë në zbritjen dhe uljen e shpenzimeve për pjesëmarrësit me të ardhura të ulëta.
Më e rëndësishmja, administrata po mbështet një koalicion të prokurorëve të përgjithshëm të udhëhequr nga republikanët të cilët po kërkojnë të përmbysin ligjin historik të reformës shëndetësore.

Administrata Trump lëshoi një përmbledhje prej 44 faqesh se si presidenti do të ulte çmimet e ilaçeve në vitin 2018. Disa u bllokuan nga gjykatat, përfshirë rimbursimin e disa ilaçeve nga Medicare dhe përpjekjen e disa viteve më parë për t’u kërkuar prodhuesve të ilaçeve të përfshinin çmimet e listës në reklamat televizive.

Sigurimet shoqërore

 

Administrata e Trump u përpoq të largonte miliona njerëz nga programet e ndihmës publike gjatë katër viteve të fundit, por në shumë raste, këto përpjekje nuk arritën të finalizoheshin para përfundimit të mandatit të presidentit.

Para pandemisë, Trump pa rënie të varfërisë gjatë kohës së tij në detyrë, por ndërsa efektet ekonomike të pandemisë së koronavirusit kanë vazhduar të shkatërrojnë SHBA-të, uria dhe varfëria janë rritur.

Në vitin 2019, Departamenti i Bujqësisë propozoi tre rregulla që mund të hiqnin përfitimet nga kuponat ushqimor të rreth 3.7 milionë njerëzve.
Ashtu si përpjekjet e saj me kuponat e ushqimit, administrata Trump në vitin 2018 gjithashtu filloi të lejonte shtetet, të krijonin kërkesat e punës në programet e tyre Medicaid, por gjykatat federale rrëzuan disa nga miratimet. Gjykata e Lartë ra dakord muajin e kaluar për të shqyrtuar çështjen.

Nga ana tjetër, Qendrat për Shërbime Medicare dhe Medicaid kohët e fundit pranuan kërkesën e Tennessee.

Ishte shteti i parë që merrte një leje të tillë për të marrë një shumë të madhe, në këmbim të rritjes së fleksibilitetit në administrimin e programit të tij Medicaid.
Departamenti i Ministrisë së Strehimit dhe Zhvillimit Urban gjithashtu u përpoq të pezullojë mbrojtjen për amerikanët transgjinorë që kërkojnë strehim.

Për vite me radhë, administrata gjithashtu luftoi për të zbatuar rregullin e saj të diskutueshëm të “akuzës publike” – gjë që do ta bënte më të vështirë për emigrantët të marrin statusin ligjor nëse ata kishin përfitime publike të tilla si Medicaid, kuponat e ushqimit dhe strehimit.

Gjykata e Shkallës së Apelit vendosi kundër administratës, duke thënë se rregulli ka një efekt tronditës për emigrantët që mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore.  Përktheu Sonila Backa/abcnews.al