Si bien në kurth emigrantët në kufirin e gjelbër të Kakavijës, pamjet e aksionit të FRONTEX: Gjurmimi me dylbi

schedule21:23 - 18 Prill, 2022

schedule 21:23 - 18 Prill, 2022

Policia e Shtetit ka publikuar pamje të mbikëqyrjes së kufirit në qarkun Gjirokastër për kapjen e emigrantëve të paligjshëm. Si rezultat i operacionit të përbashkët me FRONTEX-in,policia bwn me dije se nga data 1 janar deri më 17 Prill, janë kapur 648 emigrantë të paligjshëm. “Kemi shënuar një rritje me mbi 100%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjatë së cilës janë kapur 311 emigrantë”.

Po gjatë kësaj periudhe, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe operacionin e përbashkët me FRONTEX-in, janë goditur 19 raste të veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 26 shtetas të arrestuar, 7 të shpallur në kërkim, 4 të proceduar penalisht, si dhe janë kapur 194 emigrantë të paligjshëm.

“Gjithashtu, si rezultat i operacionit janë goditur edhe raste të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, nëpërmjet kufirit të gjelbër, të kalimit të paligjshëm të kufirit në drejtim të shtetit grek, si dhe të futjes së mallrave kontrabandë nga shteti grek në Shqipëri. Në kuadër të operacionit të përbashkët me FRONTEX-in, në Kakavije dhe në Kapshticë, është rritur 100% forca parandaluese dhe goditëse ndaj kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në Shqipëri nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek. Gjithashtu, janë vënë para përgjegjësisë ligjore personat apo grupet e personave që tentojnë të kontrabandojnë emigrantë të paligjshëm nëpërmjet kufirit të gjelbër me Malin e Zi dhe Kosovën, kundrejt fitimit“, thotë policia.

Operacioni i përbashkët me  FRONTEX-in vijon zbatimin në çdo komponent të tij, duke evidentuar eficencën e bashkëpunimit ndërmjet forcave të dislokuara nga FRONTEX-i dhe rojeve kufitare shqiptare.

/abcnews.al