Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka kundërshtuar zbarkimin e 629 emigrantëve në brigjet italiane. Ai i ka dërguar një letër autoriteteve të Maltës që të presin anije me amigrantë, të cilët janë shpëtuar në mesdhe.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka dërguar një letër urgjente tek autoritetet e Maltës duke kërkuar që anija Aquarius me 629 emigrantë në bord të dërgohet atje.
“Ky është porti më i sigurt”, tha Salvini.
Në fakt, anija nuk ka marrë miratimin për të arritur në brigjet italiane. Të premten, autoritetet malteze kishin ndaluar hyrjen në portin e anijes Seefuchs, me 126 refugjatë në bord.
Mjeti lundrues, i një OJQ-je holandeze, ishte në vështirësi për shkak të kushteve të këqija të detit, por Malta kishte propozuar vetëm ndihmë në det, pa lejuar hyrjen në port. Rojet bregdetare italiane ndërhynë dhe anija më në fund zbriti të shtunën në mëngjes në Pozzallo.
Ishte episodi i fundit i një mosmarrëveshjeje të gjatë midis Italisë dhe Maltës, sjellja e të cilave u stigmatizua nga vetë Salvini ditën tjetër. Malta “nuk mund të thotë gjithmonë jo për çdo kërkese për ndërhyrje”, ishte shprehur ministri i Brendshëm. Më tej, Salvini përsëriti shumë i vendosur se Italia nuk do të kalojë një tjetër verë të mbushur me zbarkime emigrantësh.
“Më shumë se 750 të vdekur në Mesdhe në vitin 2018: shpëtimi i jetëve në det duhet të mbetet prioritet i lartë për çdo qeveri”.
Kërkesa vjen nga Carlotta Sami, zëdhënëse e UNCHR për refugjatët në Evropën Jugore. Reagimi erdhi pas letrës së ministrit Salvini për autoritetet malteze./abcnews.al