Nga Todd Neikirk, War History Online
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Nëse një vend i NATO-s sulmohet, e gjithë organizata do të përgjigjet. Dhe për këtë arsye, shumë vende që nuk janë anëtare do të donin të ishin. Kjo u bë edhe më e kuptueshme pas pushtimit rus të Ukrainës. Ndërsa shumë vende të NATO-s kanë ofruar furnizime dhe armë për Ukrainën, ato nuk kanë ndërhyrë ushtarakisht.
Këtu janë disa fakte më interesante rreth organizatës.
NATO u krijua menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore
Pas Luftës së Dytë Botërore, fuqitë më të mëdha të botës u përqendruan që diçka e tillë mos të ndodhte më kurrë. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë, ishte krijimi i një aleance të fuqishme.
12 vendet fillestare që formuan NATO-n ishin Mbretëria e Bashkuar, Franca, Belgjika, Holanda , Luksemburgu, Kanadaja, Danimarka, Islanda, Italia, Norvegjia, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa organizata fillimisht kishte vetëm 12 anëtarë, NATO është rritur me kalimin e kohës. 18 vendet e ardhshme që u bashkuan ishin: Shqipëria, Bullgaria, Kroacia , Republika Çeke, Estonia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia , Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja dhe Turqia, raporton abcnews.al.
Një nga rolet kryesore të NATO-s sot është lufta kundër terrorizmit
Terrorizmi është një problem madhor në shumë zona në mbarë botën. Kombet e NATO-s janë bashkuar për të grumbulluar informacione dhe burime për të mposhtur grupet terroriste. Përveç ndarjes së informacionit, NATO ka punuar gjithashtu për të përgatitur më mirë irakianët për të mposhtur ISIS –in. Organizata ngriti një qendër në Napoli, Itali për të ndihmuar aleatët. NATO është anëtare e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS.
Vendet anëtare të NATO-s vijnë në të gjitha format dhe madhësitë. Sigurisht, ka superfuqi gjigante si Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Por ka edhe vende më të vogla të përfshira, si Letonia, Mali i Zi dhe Estonia.
Islanda gjithashtu do të llogaritet si një nga ato vende më të vogla. Kombi është në fakt vendi më pak i populluar në të gjithë Europën. Si rezultat, ata kurrë nuk formuan një ushtri formale.
Shumica e vendeve anëtare nuk përmbushin detyrimin e tyre monetar.
Si pjesë e detyrimit të tyre ndaj NATO-s, vendet anëtare supozohet të shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së për mbrojtjen. Për momentin, vetëm tetë anëtarë e përmbushin këtë qëllim. Greqia është një nga vendet më shpenzimet më të mëdha të aleancës me 3.59%, e ndjekur nga SHBA (3.57%), Polonia, (2.34%) Kroacia, Estonia dhe Letonia (2.16%) dhe Lituania (2.03%).
NATO-ja parashikon që deri në vitin 2024, 15 vende të arrijnë qëllimin.
Organizata zotëron shumë pak nga pajisjet e veta
Kur trupa ose pajisje nevojiten për një operacion, NATO mbështetet në vendet e saj anëtare për t’i siguruar ato. NATO operon një sistem paralajmërimi dhe kontroll. AEW&C është një sistem radar që përdoret për të monitoruar anijet, raketat dhe avionët.
Të gjitha vendet europiane kanë të drejtën e anëtarësimit
Hyrja në organizatë është e hapur për të gjitha vendet europiane nëpërmjet një politike të dyerve të hapura. Vendi i fundit që u bashkua ishte Maqedonia e Veriut në vitin 2020. Vendimi nëse një vend mund të anëtarësohet apo jo përcaktohet nga Këshilli i Atlantikut të Veriut.
Vendet aktuale që shpresojnë të bashkohen përfshijnë Bosnje-Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën.
NATO ka dy komanda strategjike
Ka kaq shumë vende dhe ushtarë që kanë lidhje të forta me NATO-n sa mund të jetë e vështirë të mbash gjithçka në kontroll. Organizata i kushton një theks të madh zinxhirit komandues.
NATO ka dy qendra komanduese strategjike të nivelit të lartë. Komanda e Operacioneve Aleate, e cilat ndodhet në Mons, Belgjikë. Ekziston edhe një Komandë supreme Aleate për Transformimin, e cila ndodhet në Norfolk, Virxhinia.
/abcnews.al