Shumë legjenda dhe yje, “France Football” publikon formacionin historik

schedule18:06 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 18:06 - 14 Dhjetor, 2020

Pandemia e koronavirusit ka ndikuar që të mos dhurohet “Topi i Artë” këtë sezon, çmim që e jep “France Football” për futbollistin më të mirë të vitit. Revista franceze ka vendosur të zgjedhë “Golden Ball Dream Team”, ceremoni që po mbahet në këto momente për të nderuar më të mirët e historisë së futbollit, të cilët zgjidhen nga 140 gazetarë sportivë.

Portieri më i mirë është zgjedhur Lev Yashin. Rusi është i vetmi “gardian” që ka fituar “Topin e Artë”, teksa sot është shpërblyer si portieri më i mirë i historisë së futbollit. Kalojmë te mbrojtja: qendra më e mirë është zgjedhur Franz Beckenbauer.

Legjenda gjermane ka fituar gjithçka me Bayern Munchen, teksa është shpallur kampion bote me Gjermaninë, si lojtar dhe si trajner. Në krahun e majtë të mbrojtjes një tjetër legjendë. Më i miri në linjën e majtë është Paolo Maldini, ish-kapiteni unik i Milanit dhe Italisë dhe idhulli i miliona tifozëve.

Trofe pafund për italianin, ku bie në sy fitimi i 5 Champions League. Në të djathtë një brazilian. Cafu ka fituar garën me rivalët. 2 herë fitues i Botërorit me Brazilin, teksa Cafu mbahet mend për spektaklin e dhuruar në krahun e djathtë dhe faktin që ka luajtur 3 finale kupa bote radhazi (1994, 1998, 2002).

Kalojmë në mesfushë, aty ku janë zgjedhur Lotthar Matthaues, Xavi, Diego Armando Maradona dhe Pele. Gjermani, fitues i “Topit të Artë” dhe Botërorit me Gjermaninë, dhe disa trofeve me Bayern Munchen dhe Interin, është zgjedhur mesfushori defensiv më i mirë në histori.

Në formacionin më të mirë edhe Xavi, ish-mesfushori i madh spanjoll, i cili ka fituar gjithçka me Barcelonën dhe kombëtaren e Spanjës (Kupë Bote dhe Europian dy herë). Më sipër dy legjenda: Diego Armando Maradona dhe Pele, lojtarë për të cilët nuk ka nevojë për koment dhe shumëkush i cilëson si dy më të mirët e lojës më të bukur me top.

Si argjentinasi edhe braziliani janë zgjedhur si mesfushorë ofensivë në formacionin më të mirë të historisë. Kalojmë në sulm, aty ku nuk ka surpriza. Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk mungojnë në këtë repart. Fituesit e 11 “Topave të Artë” janë zgjedhur sulmuesit e krahut më të mirë të historisë, teksa qendra e repartit plotësohet nga Ronaldo Fenomeni, një futbollist magjik, dy herë fitues i “Topit të Artë” dhe po kaq herë i Botërorit me Brazilin.

“Golden Ball Dream Team” (3-4-3): Yashin (Rusi); Cafu (Brazil) – Beckenbauer (Gjermani) – Maldini (Itali); Matthaus (Gjermania) – Xavi (Spanjë) –Maradona (Argjentinë) – Pele (Brazil); Messi (Argjentinë) – Ronaldo (Brazil) – Cristiano Ronaldo (Portugali). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!