Prokuroria për Krimet e Rënda paraqiti para gjykatës të gjithë provat shkresore të dosjes kundër Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tij. Sipas prokurorisë, hetimi ka nisur pas një referimi policor të Shkurtit 2016, ku përveç Shullazit përmendej edhe ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha.
Këto janë vetëm një pjesë e 17 fashikujve në total që përbëjnë dosjen e Prokurorisë për Krimet e Rënda kundër Emiliano Shullazit dhe katër miqve të tij.
Sipas prokurorëve, përmbajtja e tyre, vë me shpatulla pas murit pesë të akuzuarit për “gjobëvënie”, “ grup të strukturuar kriminal” dhe “kanosje”.
Të gjitha këto prova iu prezantuan të martën, pesëshes gjykuese të këtij procesi tek Krimet e Rënda. Përmes një materiali 19 faqesh, prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuci listuan gjithë shkresat e dosjes, që nga referimi i veprës penale në prokurori, tek dokumentimi i të gjitha veprimeve hetimore në vijim, përfshi kqyrje vendngjarjesh, akt-ekspertime teknike a gjenetike, kqyrje kamerash sigurie pranë vendit ku u kërcënua rektori Mynur Koni dhe në bankat ku kanë lëvruar çeqe të pandehurit, si dhe kontatat noteriale apo praktikat gjyqësore mbi pronësinë e ish-hotel Vollgës në Durrës.
Sipas prokurorisë, hetimi ndaj të pandehurve ka nisur në Shkurt të vitit 2016, pas një referimit të një informacioni të Policisë së Shtetit për dyshimet mbi një veprimtari kriminale nga disa persona. Në një nga këto informacione, përveç Shullazit janë përcjellë të dhëna mbi veprimtari kriminale të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha dhe kunatit të tij Plarent Dervishaj, kohë kur vetë Berisha ishte ende në qeli.
Hetimet janë veçuar më tej për Shullazin dhe grupin dhe kanë vijuar deri në prangosjen e tyre.
Në seancën ku nuk ishte prezent i pandehuri Shullazi, avokati Vladimir Meçi kundërshtoi provat. “Të paktën 90 përqind e tyre janë të papërdorshme”, tha avokati, pretendim që u mbështet dhe nga kolegët e tij.
Në seancën e radhës, e caktuar në 30 janar 2018, avokatët do të paraqesin me shkrim kundërshtitët e tyre në lidhje me provat e prokurorisë./abcnews.al