Shullazi në regjimin “41 bis”, avokati Meçi: Vendimi antiligjor, do ta ankimojmë te Gjykata e Posaçme

schedule17:22 - 1 Gusht, 2020

schedule 17:22 - 1 Gusht, 2020

Vladimir Meçi, avokati i Emiljano Shullazit  përmes një deklarate e quan të papranueshëm dhe të kundraligjshëm vendimin për kalimin e klientit të tij në regjimin special “41 BIS”.

Meçe u shpreh se SPAK ka ndërhyrë në vendimmarrjen e “Apelit”.

Po ashtu ai theksoi se do paraqesin ankimin dhe se do t’i drejtohen përfaqësive diplomatike.

“Vendim i kundraligjshëm se është marrë në një moment të papërshtatshëm. Është marrë posaçërisht për Emiljano Shullazin dhe të pandehurit e tjerë. Do ta ankimojmë në Gjykatën e Posaçme sapo të na vihet në dispozicion. Do të mbajmë dhe qëndrim publik për mënyrën si është dhënë vendimi”, ka thënë Vladimir Meçi, avokat i Emiljano Shullazit.

Avokati thekson se emri i Shullazit po përdoret për vëmendje, dhe për të mbuluar të gjitha dështimet e SPAK-ut për të hetuar kokat e mëdha, e duke qenë larg pritshmërive që kishte publiku.

“Në kushtet kur kronikat e lajmeve janë të mbushura me raste vrasjesh dhe grabitjes, dhe korrupsioni lulëzon sheshit, duke nisur nga maja e pushtetit, SPAK për të mbuluar impotencën dhe dështimit, së bashku me një ministri drejtësie të përgjumur, ndërmerr këtë operacion propagandistik, për të bindur opinionin publik brenda dhe jashtë vendit se korrupsioni dhe krimi i organizuar po luftohet”, tha ai.