Në seancën e të mërkurës tek Krimet e Rënda, Emiliano Shullazi u pa sërish sy më sy me biznesmenin Ylvi Beqja, personin që e kallëzoi për “gjobëvënie”. Biznesmeni shoqërohej nga tre policë të maskuar, për shkak të statusit të tij si dëshmitar i mbrojtur. Ai ishte vetëm një nga katër dëshmitarë, që u bënë protagonistë të tre ballafaqimeve në sallën e gjyqit.
Nevoja për ballafaqim të dëshmitarëve lindi për shkak të kundështive në thëniet e tyre për fakte të njëjta gjatë gjykimit.
Para gjykatës biznesmeni Beqja konfirmoi se nënshkrimi i kontratës ku ai i dhuronte një pjesë të ish-hotel Vollgës ishte bërë në kushte presioni.
Përballë tij, noterja Aida Spahiu pohoi të kundërtën. Ajo tha se i qëndronte dëshmisë së saj të mëparshme, ku ka thënë se nuk ka vënë re asnjë presion apo shtërngim nga Shullazi drejt Beqjes. Noterja mohoi edhe pretendimin e biznesmenit për një takim mes tyre në Rinas.
“Me bindjen më të fortë them që kjo zonjë nuk thotë të vërtetën”, këmnbënguli Beqja. Të njëjtin qëndrim noterja mbajti edhe në ballafaqimin me dëshmitarin Besnik Musai, dëshmitar i mbrojtur në proces, ish-shofer i Ylvi Beqjes.
Në dëshminë në gjykim Musai ka pretenduar se ka parë Shullazin t’i vërë pistoletën në bark Ylvi Beqjes, pak para se ai të nënshkruante dhurimin e një pjese të “Vollgës”. Në përballjen mes Ylvi Beqjes dhe ish-bodigardi të tij, ky i fundit theksoi se biznesmeni nuk i kishte shprehur asnjë shqetësim për kërcënim apo shantazhim.
Seanca u shoqërua me momente tensioni, ku të pandehurit dhe avokatët pretenduan se dëshmitarët e mbrojtur Ylvi Beqja dhe Musai ishin instruktuar nga prokuroria. Tensioni kulmoi me një përpasje mes Shullazit dhe prokurores Elisabeta Imeraj. “Mos harroni që kemi edhe incizime. Duro. Do bëhen publike. Do të vijnë dëshmitarët tonë të thonë se çfarë u ka thënë Ylvi Beqja. Ka dhe emra prokurorësh aty”, tha Shullazi. Prokurorja i ftoi që gjithë ç’kanë t’i paraqesin në proces. “Nuk kam besim fare tek prokuroria”, ia ktheu Shullazi.
Në të njëjtën seancë Gjykata rrëzoi kërkesën e të pandehurve për zbutje të masës së sigurisë./abcnews.al