Shulku: Superiorja, jo e çmendur! Ja pse vjen ngjeshja në renditje

schedule22:06 - 26 Dhjetor, 2019

schedule 22:06 - 26 Dhjetor, 2019

Superiorja është një nga temat e diskutuara në emisionin “Pressing” në ABC News. Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, thekson se skema me 10 ekipe e ka bërë kampionatin të ekuilibruar dhe të fortë, sikurse edhe mungesa e diferencave mes ekipeve. Ai nuk bie dakord që kampionati është i çmendur dhe se ekipet e vendeve të fundit nuk kanë shanse të mbijetojnë në elitën e futbollit shqiptar.

“Nuk është kampionat i çmendur, por me garë. Ndryshimi i skemës ka sjellë garë, në ekipet që duan trofe, tek ekipet që duan Europën, por edhe për mbijetesën. Kemi pasur kampionate kur është ndarë titulli në javën e fundit, sikurse edhe mbijetesa.

Ka garë edhe sivjet. Ngjeshja e pikëve tregon se ka goxha garë. Kjo vjen prej faktit që nuk ka ekipe që bëjnë diferencën, sikurse ishte Skënderbeu. Vendi i fundit mund të mposhtë vendin e parë, pasi në cilësi nuk ka diferencë”, tha fillimisht Shulku.

Më pas u fol në lidhje me mundësinë e hapjes së portave, nga ekipet e vendeve të fundit: “Nuk është shumë e thellë diferenca. Ekipet e fundit duan përforcime, do bëjnë merkato. Përforcimi i tyre do i japë impuls tjetër kampionatit. Janë tre skuadra që rrezikojnë. Momentalisht është edhe Skënderbeu, që u mund javën e fundit.

Me dy ndeshje futesh në garë për të mbijetuar. Nuk është aq e madhe shkëputja, me 2-3 ndeshje rresht afrohesh. Nuk është fjala e duhur hapja e portave. Diferencat nuk janë të mëdha. Flamurtari ka elementë cilësorë. Ka pasur probleme të tjera që e kanë sjellë këtë situatë. Mendoj se me 2-3 përforcime ata dalin nga kjo situatë”, u shpreh Shulku. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!