Shuhet “Oktapodi” i Argjentinës, kampioni i botës që e nisi karrierën si çiklist

schedule20:37 - 15 Shkurt, 2021

schedule 20:37 - 15 Shkurt, 2021

Leopoldo Jacinto Luque është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare. Ish-sulmuesi i Argjentinës, kampion bote në vitin 1978, ishte shtruar në spital pasi ishte prekur me COVID-19. Gjendja e tij ishte rënduar dhe ditët e fundit ishte nën kujdesin intensiv të mjekëse.

Autori i katër golave në atë botëror, Luque shquhej për klasin e tij dhe në Argjentinë nuk ngurrojnë ta thonë se sot nuk ka një sulmues si ai në kombëtaren e tyre. Një përzieje e klasit me forcën, që tashmë duhet ta kujtojnë me nostalgji.

Luque ka qenë pjesë e River Plate, skuadër me të cilën u shpall pesë herë kampion. I lindur më 3 maj 1949 në Santa Fe, ai po ndiqte hapat e babait të tij që kishte qenë çiklist.

Gjithsesi në takimin e parë me topin u dashurua dhe më pas u bë futbollist, duke bërë karrierë dhe duke luajtur edhe me kombëtaren e Argjentinës krah Mario Kempes e shumë kampionëve të tjerë.

Oktapodi, pseudonim që e kishte marrë nga Americo Gallego, luajti 45 ndeshje me kombëtaren e Argjentinës dhe shënoi 22 gola. Në Kupën e Amerikës, në vitin 1975, ai u shpall edhe golashënuesi më i mirë i turneut. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!