Shuhet mjeshtri i cirkut, “Artisti i Merituar” Tahir Baçova spikati si zbutës i kafshëve

schedule12:33 - 3 Shtator, 2024

schedule 12:33 - 3 Shtator, 2024

Shuhet në moshën 88-vjeçare “Artisti i Merituar” dhe mjeshtri i cirkut Tahir Baçova. Ai krijoi profilin e zbutësit të kafshëve në Cirkun Shqiptar.

Artisti unikal e filloi karrierën artistike që në moshën 17-vjeçare  ku kontribuoi për 40 vite. Edhe pasi  doli në pension ai kurrë nuk u nda nga pasioni i tij, nga bota zbutjes së kafshëve e për ta kthyer atë në art, për të argëtuar fëmijët jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë.

Fillimisht u aktivizua pranë Cirkut Amator e më pas si Profesionist në Cirkun Kombëtar.

Numri i parë me qen krijuar prej tij shënohet në vitin 1960 në premierën “Variete-Cirk-Variete” mbetet bazamenti dhe promotori i profilit të kafshëve në Cirkun Shqiptar, bashkë me bashkëshorten e tij znj. Sanie Baçova, e para dhe e vetmja artiste grua në profilin e zbutësit të kafshëve në Cirkun Shqiptar.

Ndër numrat e spikatur  janë  “Ecje me biçikletë”, “Kapërdime me rreth”, “Vertikale mbi shishe”, “Ekuilibër mbi glob”, “Ariu basketbollist”, “Ariu fotograf”, “Ariu vertikalist dhe ekuilibrist”, “Arinjtë në lisharse”. Nurma të tjerë Pëllumbat, Gomari, Dhia, numrat me qen “Brezi i kalitjes”, “Klasa e qenve”, “Futbolli i qenve, “Loja me kutia”, “Pastrimi”, “Kërcimi me litar”, “Bindja e Rozës”, “Gjetja e numrave” etj, do të mbahen mend gjatë nga publiku artdashës i Cirkut Kombëtar.

Artisti i Merituar Tahir Baçova prej më shumë se 40 vite ja kushtoi jetën dhe pasionin e tij punës me kafshë, i palodhur këmbëngulës me dëshirën për të dhuruar art. Një profil që sot është zbehur ndjeshëm në arenën e Cirkut Kombëtar.

/abcnews.al/