Shuhet legjenda e volejbollit shqiptar, Vangjel Koja

schedule08:07 - 30 Shtator, 2024

schedule 08:07 - 30 Shtator, 2024

Vështirë të vijë tjetër si ai. Sporti shqiptar, veçanërisht volejbolli, humbi njërën nga legjendat e tij më të mëdha, ndoshta trajnerin më të mirë të të gjitha kohëve.

Vangjel Koja mbylli sytë në Korçë në moshën 91-vjeçare, ndërsa jetonte pranë të birit, Orlandos, që është trajner i Skënderbeut, kampion të Shqipërisë.

Ai e drejtoi Dinamon në volejboll për meshkuj nga viti 1964 deri në 1990, përjashtuar një periudhë të shkurtër ndërprerjeje në mesin e viteve 80-të.

Fitoi 23 tituj kampion dhe 17 Kupa të Shqipërisë, që në atë kohë quheshin të Republikës.

Në 1972, Dinamo e drejtuar nga Koja arriti finalen e Championsit të Europës, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më pas, dhe është përsëritur vetëm nga Dinamo e volejbollit të femrave të trajnerit Kreshnik Tartari. Ai drejtoi sportistë të mëdhenj si Asllan Rusi, Panteqi, Shehu, Uka apo Doçi, pa i përmendur të gjithë.

Po ashtu, ishte trajner i ekipit kombëtar të volejbollit të djemve. Koja, lindur në mars të vitit 1933, i përkiste atij brezi që u ushtrua në disa sporte, me atletikë, basketboll e volejboll.

Ai është padyshim trajneri më jetëgjatë në një ekip në Shqipëri, dhe më i suksesshmi.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!