Shuhet Amos Oz

schedule19:47 - 28 Dhjetor, 2018

schedule 19:47 - 28 Dhjetor, 2018

Ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me kancerin shkrimtari i mirënjohur izraelit Amos Oz. Përveç veprave letrare, që i kanë dhënë një seri çmimesh, Oz do të mbahet mend edhe si avokati i zgjidhjes me dy shtete të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, qëndrim për të cilin disa herë është etiketuar si tradhtar.

Ikona e letërsisë izraelite Amos Oz ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare për shkak të kancerit. Mes veprave të tij të shumta spikat novela autobiografike e vitit 2002 “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, që u kthye menjëherë në bestseller dhe u përshtat për ekranin e madh nën regjinë e aktores së njohur Natali Portman.

Oz do të mbahet mend gjithashtu si avokati i paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe si mbështetës i zgjidhjes me dy shtete të konfliktit dypalësh, qëndrim për të cilin disa e quajtën tradhtar. Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur e bija, historiania Fania Oz Salzberger. Përmes një postimi në Tëitter, ajo deklaroi se gjendja e të atit ishte përkeqësuar gjatë natës teksa ai flinte.

“Ai vdiq i rrethuar nga njerëz që e donin. Ju lutem të respektoni privatësinë tonë”, tha Salzberger. Oz ishte një nga shkrimtarët më të njohur e më të lexuar të Izraelit, i vlerësuar në shkallë ndërkombëtare me anëtarësimin në Akademinë Amerikane të Artit dhe Shkencës, Legjonin e Nderit në Francë dhe me çmimin “Hajnrih Hajne” në Gjermani.

Librat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë dhe emri i tij është përfolur shpesh për çmimin Nobël për Letërsinë. Në vitet e fundit, Oz foli hapur kundër politikave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, duke e akuzuar atë për rritje të ekstremizmit.

“Nëse njerëzit e quajnë Izraelin të ndyrë, unë jam dakord me ta deri në një farë pike. Nëse e quajnë mishërim të djallit, atëherë mendoj se janë të fiksuar dhe të çmendur, por gjithësesi legjitimë në qëndrimin e tyre”, tha ai në një intervistë për BBC./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!