Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë kanë hequr dorë për të gjetur të mbijetuar në ndërtesën e shembur në Florida, ku humbën jetën 54 persona dhe 86 persona vijojnë të jenë të zhdukur.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ekspertët u kanë thënë familjeve të dëshpëruara se nuk kishte “asnjë mundësi jete” nën rrënoja ndërsa ekipet i kthyen përpjekjet në gjetjen e trupave.
Njoftimi pasoi raporte gjithnjë e më të pashpresa nga zyrtarët e emergjencës, të cilët thanë se donin të përgatisnin familjet për skenarin më të keq.
“Në këtë pikë, me të vërtetë kemi shteruar çdo mundësi në dispozicion në misionin e kërkim-shpëtimit,” tha Kryetarja e Bashkisë Miami-Dade, Daniella Levine Cava.
Kalimi zyrtar nga një mision shpëtimi në atë të gjetjes së trupave do të bëhet në mesnatë, ndërsa një moment heshtjeje u mbajt në mbrëmje.
Ndihmësi Shefi i Zjarrfikësve në Miami-Dade, Raide Jadallah u tha familjeve privatisht se ekipet do të ndalonin përdorimin e qenve të shpëtimit dhe pajisjeve të identifikimit të tingujve, por do të vazhdonin të kërkonin trupat.
Për dy javë, ekipet e shpëtimit kanë kërkuar në hapësira nën rrënoja që mund të ishin aq të gjera sa mund të kishte të mbijetuar. Por ata tani thonë se gjasat për të gjetur njerëz të gjallë janë pothuajse zero. Shpresa për gjetjen e të mbijetuarve u ndez për pak kohë pasi punëtorët shkatërruan pjesën e mbetur të ndërtesës, duke mundësuar që ekipet e shpëtimit të kishin qasje në pjesë të reja të rrënojave./abcnews.al