Bizneset e goditura nga pandemia do të kenë mundësi që të shtyjnë pagesën e kësteve të kredive deri në 31 gusht.
Banka e Shqipërisë ka marrë vendimin për t’u ardhur në ndihmë të gjitha kompanive që janë në vështirësi financiare për shkak të rënies së të ardhurave gjatë periudhës që kanë qenë të mbyllura.
Kjo është shtyrja e dytë për këstet e kredive pas asaj te marsit dhe në total shkojnë në 6 muaj. Në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë, bizneset do të ristrukturojnë pagesën e kredive në bazë të gjendjes së tyre financiare.
Me herët njoftimi u publikua nga kryeministrit Edi Rama ne profilin e tij zyrtar ne FB .
Nga shtyrja e parë e shlyerjes se kredive, afati i të cilës përfundon në 31 maj rezulton se kanë përfituar mbi 21 mijë klientë dhe shuma arrin në mbi 2 miliard euro. Ndërkohë Banka e Shqipërisë duke iu referuar gjendjes së rënduar për ekonominë shqiptare dhe në veçanti për sistemin bankar, ndërmori disa masa dhe ndryshime rregullative per t’i ardhur në ndihmë bankave.
Ndërhyrja njëkohësisht synon të sigurojnë stabilitetin monetar te bankave dhe te sistemit financiar në tërësi. Banka Qendrore ka hequr kufizimet për fondet rezervë deri në fund të vitit.
Bazuar ne rregullore bankat janë të detyruara ta mbajnë fonde rezerve për të siguruar kreditë e këqija dhe duke marrë shkas nga situata, atyre iu shtyhet në kohë ky detyrim me të paktën 1 vit.
Masat lehtësuese parashikojnë zhvendosjen e disa afateve që duhet të zbatoheshin në rastet e mospagesës së kësteve të kredive në kohen e përcaktuar.
Njoftimi i Bankës së Shqipërisë:
Në kushtet kur akoma vazhdojnë të evidentohen vështirësi për kredimarrësit dhe bankat, si pasojë e kësaj situate, si dhe me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të ngritura nga biznesi dhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave, autoriteti mbikëqyrës, duke analizuar dhe konsideruar propozimet dhe kërkesat e parashtruara nga bankat, si dhe bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve të tjera dhe udhëzimeve të Autoritetit Evropian Mbikëqyrës (EBA) për këtë qëllim, miratoi disa ndryshime në rregullat për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat, të cilat synojnë lehtësimin për bankat, kryesisht nëpërmjet:
1.pezullimit të përkohshëm të zbatimit të detyrimit që rrjedh nga kërkesat për administrimin e rrezikut të kredisë, për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive për të gjitha kategoritë e klientëve, edhe për një periudhë tjetër, nga data 1 qershor deri në 31 gusht 2020, për arsye të vështirësive financiare dhe rënies së aftësisë paguese të huamarrësve, ndikuar nga situata e krijuar;
2.pezullimit të përkohshëm të krijimit të fondeve rezervë për pasuritë e paluajtshme të përftuara kundrejt shlyerjes së kredive deri në muajin dhjetor 2020;
3.dispozitë lehtësuese për kreditë e ristrukturuara, sipas së cilës bankave u jepet mundësi të ristrukturojnë marrëdhëniet aktuale të kredive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme në varësi të aftësisë paguese të kredimarrësve deri më 31 dhjetor 2020 pa kosto shtesë të provigjoneve dhe pa përkeqësim të statusit të huamarrësve;
Lexo edhe: Rama njofton shtyrjen deri në gusht të kësteve të kredive
4.shtyrjen me 1 vit të hyrjes në fuqi të kërkesave më të shtrënguara për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara, për në muajin janar 2022. Nëpërmjet kësaj mase bankat do të mund të përdorin edhe gjatë vitit 2021 të njëjtat kritere për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara si ato përpara situatës së pandemisë; dhe
5.shtyrjen me 1 vit të efekteve të rregullores “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare” deri në muajin janar 2022. Në këtë mënyrë, bankat do të kenë një hapësirë më të madhe kohore të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për huamarrësit e përbashkët në vështirësi financiare.
Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me bankat. /abcnews.al/