Shtyrja e dosjes “Babale”, flet Salianji: Manipuluan procesin me një dëshmitar të rremë

schedule14:24 - 4 Korrik, 2022

schedule 14:24 - 4 Korrik, 2022

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka folur për mediet pas vendimit të shtyrjes së seancës gjyqësore për dosjen “Babale” .

Salinaji tha se procesi është manipuluar me një dëshmitar të rremë dhe t se vonesat dhe sorollatjet janë të përhershme kur një person kërkon drejtësi në Shqipëri.

Salianji tha se ka paraqitur prova për të provuar pafajësinë  e tij.

“ Seanca u manipulua nga një dëshmitar i rremë. Vonesa dhe sorollatjet janë të përhershme sa herë që një person kërkon drejtësi. Ankimi është i plotë, janë te gjithë elementet. Nuk ka pasur vepër penale. Në rastin tim unë kam paraqitur prova për të paraqitur para publikut dhe për të provuar pafajësinë time. Jemi në një rast që duket sikur është i koklavitur, por është shumë e thjeshtë. Unë nuk kam bërë kallëzim, por një denoncim për një të dënuar. Pjesa e investigimit të gazetarit është e njohur për publikun, sesi të gjithë drejtuesit e lartë politikë ishin të përfshirë në një çështje ku kërkonin të involvonin një dëshmitar të rremë, një personazh që sot i ka marrë paratë e veta nga qeveria dhe sot ishte dakord edhe me burgun që ka bërë”, tha Salianji.

Gjykata e Apelit shtyu seancën gjyqësore për dosjen “Babale” për më 18 korrik, ora 14.00.

Mësohet se gjatë seancës së sotme, avokatët e Indrit Sefës paraqitën kërkesë për shtyrje për shkak të bojkotit që është njoftuar më herët nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Kurse, Fredi Alizoti ka hequr dorë nga ankimi. Jetmir Olldashi nuk ishte prezent. Kurse gjyqtarja Elona Toro ka dyshime se mund të jetë me Covid-19.

Të pranishëm në seancë, në mbështetje të Salianjit ishin deputetet Luan Baçi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Belind Këlliçi, Selaudin Jakupllari, Kasem Mahmutaj, Bledion Nallbati.

Kujtojmë se Ervin Salianji është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, por këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsideron politik. Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, apo do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një vendim alternativ.

Nëse do lihet në fuqi vendimi atëherë do kemi dënimin me burg të një deputeti. Autori i audiopërgjimit Albert Veliu u dënua me 3.5 vite burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 100 orë shërbim prove. /abcnews.al/

 

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!