Është shtyrë për të premten seancë e Parlamentit të Kosovës ku pritej që të votohej për demarkacionin me Malin e Zi. Ndërkohë që është shtuar dhe presioni i ndërkombtarëve për miratimin e marrëveshjes në një kohë që deputetët e listës serbe deklaruan se nuk do ta votojnë.
Kryetari i parlamentit të Kosovës Kadri Veseli deklaroi se seanca për votimin e demarkacionit me Malin e zi është shtyrë për ditën e premte. Ai konfirmoi lajmin për mediat pas takimit në kryesinë e Kuvendit me përfaqësues të partive politike në vend.
Gjatë ditës së enjte dhe pse ishte paralajmëruar një seancë e jashtëzakonshme për votimin e demarkacionit me Malin e Zi, nuk pati konsensus politik.
Lidhja Demokratike e Kosovë së Isa Mustafës, kishte konfirmuar se do të votonte pro marrëveshjes, ndërsa gjatë ditës vendosi si kusht që raporti i mëparshëm i përgatitur nga Bulliqi, të mos përfshihej në votim.
Vetëvendosje deklaroi se do të votonte kundër dhe nuk do ndryshonte vendimin e saj, edhe Lista Serbska bëri zyrtar vendimin për të votuar kundër marrëveshjes së demarkacionit.
Presidenti i vendit Hashim Thaci nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook u bëri apel deputetëve që të votonin për demarkacionin me Malin e Zi, i njëjti apel që u bë mëngjesin e të enjtes dhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Delaui. Ky i fundit u kërkoi politikanëve kosovarë që të mos mbanin më të izoluar vendin. Kjo duke iu referuar kushtit që i është vënë Kosovës për liberalizimin e vizave. /abcnews.al