Shtyhet ankandi për shitjen e Vllaznisë, pranohet ankesa e Valter Fushajt

schedule16:37 - 15 Mars, 2021

schedule 16:37 - 15 Mars, 2021

Privatizimi i Vllaznisë duket se do të zgjasë më shumë se ç’ishte menduar. Ashtu si në pjesën më të madhe të procedurave në vendin tonë, edhe këtu ka zvarritje dhe parregullsi. Para disa ditësh ish-presidenti, Valter Fushaj pati bërë një ankesë, për të parë edhe një herë kushtet e privatizimit.

Si pasojë, sot Komisioni i Prokurimit Publik ka kërkuar pezullimin e procedurës së ankandit për shitjen e Vllaznisë. Ky vendim u mor pas ankesës që bëri ish-presidenti, Fushaj për shkelje të procedurave, si president i shoqërisë tregtare “Colosseo Construction”.

Në vendimin e Komisionit të Prokurorimit Publik thuhet se pezullohet procedura e ankandit dhe nuk lejohet të kryhet asnjë veprim nga autoriteti kontraktual deri në shqyrtimin e ankesës. Për shitjen e aksioneve të Vllaznisë, Bashkia Shkodër hapi një garë publike, që ishte parashikuar të mbyllej në 9 mars.

Ankesën e Fushajt e mbështetën edhe kompani të tjera pjesëmarrëse në ankand. Pretendimet e Fushajt ishin se janë krijuar anekse në rregullore, që favorizojnë individë të caktuar. Bashkia nxori në shitje 100% të aksioneve të klubit të Vllaznisë disa javë më parë dhe çmimi minimal i aksioneve është 507 milionë lekë të vjetër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!