TIRANË- Komisioni i Ekonomisë ka nisur diskutimet për ndryshimin e projektligjit për investimet strategjike. Në të propozohet shtyrja e afatit deri në 31 dhjetor të vitit 2027.
Kreu i komisionit të ekonomisë Eduard Shalsi njëkohësisht propozues i kësaj nisme ka deklaruar se ndryshimet synojnë që të vijojë tërheqja e investimeve strategjike pasi interesi mbetet i lartë.
“Ndërmora këtë iniciativë për të shtyrë afatin si një mundësi për të garantuar vijueshmërinë e ligjit, ky është qëllimi kryesor, që më shtyu që të bëj një propozim të tillë”, tha ai.
Në draftin e ri propozohet rritje e vlerës së investimit dhe për një projekt të propozuar për t’u kualifikuar si investim potencial strategjik duhet të jetë mbi 50 milionë euro si dhe të sigurojë hapjen e të paktën 300 vendeve të punës.
“Gjëja që unë kam gjykuar dhe është një propozim që e kam konsultuar me kolegë dhe specialistë të fushës, është që të konsiderojmë që pavarësisht sektorëve, si minimum shifrën e 50 milionë euro”
E pranishme në mbledhjen online të ekonomisë ka qenë edhe deputetja Jorida Tabaku, e cila e ka kundërshtuar zgjatjen e afatit.
Që prej vitit 2016 kur është miratuar ky ligj e deri më tani janë miratuar 40 projekte investimi strategjik dhe 34 janë ende në fazë vlerësimi./abcnews.al