Vëmendja te periferia/ Veliaj: Investime në infrastrukturë, punojmë për urbanizimin

schedule13:58 - 6 Shtator, 2023

schedule 13:58 - 6 Shtator, 2023

“Grigor Cilka”, rruga që ndodhet në pjesën juglindore të Tiranës dhe shtrihet në një zonë informale me ndërtime të pas viteve ’90, po rikonstruktohet nga Bashkia e Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet dhe u shpreh mirënjohës për faktin se ato po kryhen në kohë rekord, ndonëse në temperatura të larta të gushtit që sapo lamë pas: “Jam shumë krenar për skuadrën tonë, që e kaloi verën në krye të punëve. Volumi më i madh i punës kanë qenë muret mbajtëse, muret ndarëse, shtrati i rrugës, kolektorët, që sistemojnë ujërat e bardha në një lagje, e cila s’ka qenë as pjesë e Farkës, as e Saukut, as e Njësisë 2, prandaj është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe”.

Veliaj tha se periferia e Tiranës dhe sidomos zonat kufitare mes njësive, janë prioritet i këtij mandati të tretë. “Angazhimi ynë është se në këtë mandat do të punojmë për zonat kufitare, si zona mes Dajtit dhe Njësisë 4, mes Shkozës dhe Njësisë 1, mes Farkës dhe Saukut. Këtu jemi duke ‘qepur’ periferitë me lagjet kryesore të Tiranës, – Njësia 2 takohet me Farkën dhe Lundrën, ndërkohë një pjesë e madhe e trafikut që dilte në Rrugën e Elbasanit, një pjesë e madhe e trafikut që dilte tek Sanatoriumi dhe që ngushtonte atë rruge, edhe për ambulancat, edhe për nevojat spitalore, tani fare mirë mund të përdoret për rrugë paralele, që lidh një lagje me njerëz jashtëzakonisht punëtorë,” u shpreh ai.

Urbanizimi sjell zhvillim dhe rritje të vlerës së çdo shtëpie, tha më tej kryebashkiaku. “Nëse shikon ndërtimet e bëra këtu, qartazi janë njerëz që kanë sakrifikuar, kanë kursyer nga emigracioni, por kur vjen urbanizimi është një lajm i mirë për të gjithë. Ardhja e urbanizimit, jo vetëm e rrugës, por edhe ndriçimeve dhe kanalizimeve, e qep lagjen me pëlhurën e madhe të Tiranës. Ndaj, dua që të vazhdojmë me intensitet maksimal, për të kapur sa më shumë ditë dhe volum pune me kohë të mirë, që pastaj gjatë shirave të kemi mundësi të kemi një tjetër rruge, ku nuk të prek këmba në baltë dhe një tjetër lagje ku lëviz komunikimi dhe i është rritur vlera e pronës,” deklaroi më tej Veliaj.

Sot, shtoi kreu i Bashkisë, kemi një situatë ku në Tiranë vlera e pronës është rritur mbi tre herë në disa lagje, por sidomos në ato lagje që urbanizohen për herë të parë aty është dhe rritja më e madhe e vlerës së pronës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!