Thirrjet që Izraeli të mbajë përgjegjësi për sulmin ajror në Gazë që la të vrarë 7 punonjës ndihmash të organizatës World Central Kitchen, po intensifikohen.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të zhvillojnë sot bisedën e parë telefonike që kur ndodhi sulmi.
Zëdhënësi i Departamenit të Shtetit Mathew Miller u tha gazetarëve të mërkurën se Izraeli duhet të marrë shumë masa për të mbrojtur punonjësit e ndihmave dhe civilët.
Organizata World Central Kitchen tha të enjten se i është drejtuar Australisë, Britanisë, Kanadasë, Polonisë dhe Shteteve të Bashkuara që ato të kërkojnë “një hetim të pavarur, nga palë të treta për sulmin, që të përcaktojë gjihashtu nëse sulmi është kryer me paramendim dhe nëse është shkelur ligji ndërkombëtar”.
Mes të vrarëve në sulmin e së hënës ishin tre shtetas britanikë, një shtetas polak, një australian, një palestinez dhe një person me shtetësi kanadezo-amerikane.
“Hetimi i pavarur është e vetmja rrugë për të mësuar të vërtetën e asaj që ndodhi, për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie për ata që janë përgjegjës dhe për të parandaluar sulmet e ardhshme ndaj punonjësve të ndihmës humanitare”, tha përmes një deklarate organizata World Central Kitchen.
Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ligjet ndërkombëtare e përcaktojnë qartë se punonjësit e ndihmave duhet të jenë në gjendje të ofrojnë ndihmë pa rrezikuar jetën.
Kryeministri polak Donald Tusk tha në një konferencë shtypi të enjten se Polonia pret shpjegime mbi atë që ndodhi si edhe që familjet e viktimave të dëmshpërblehen.
Pentagoni njoftoi se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin “shprehu zemërimin e tij për sulmin e Izraelit” gjatë një bisede telefonike të mërkurën me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
“Sekretari Austin vuri në dukje se kjo tragjedi forcoi më tej shqetësimin e shprehur mbi një ofensivë ushtarake nga ana e Izraelit në Rafah”, njoftoi Pentagoni.
Shefi i forcave të armatosura izraelite Herzi Halevi e cilësoi sulmin “një gabim të rëndë” për shkak të “pamundësisë për të identifikuar (autokolonën)” për shkak të errësirës.
Kryeministri Netanyahu është zotuar se “rasti tragjik” do të hetohet “deri në fund”.
Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor, sipas autoriteteve izraelite la të vrarë 1200 persona ndërsa rreth 250 të tjerë u morën peng.
Kundërofensiva izraelite, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi ka lënë të vrarë 33,037 njerëz. /VOA