Shtohen “shtëpitë e barit”, në 4 muaj goditen 20 raste, në 2021 u zbuluan 9 banesa

schedule15:27 - 24 Prill, 2022

schedule 15:27 - 24 Prill, 2022

Nga Xhensila Kodra

Kultivimi i kanabisit në banesa, ndër vite është cilësuar si një “traditë” në Angli, por së fundmi kjo metodë po vihet edhe në Shqipëri. Rastet e zbuluara gjatë 4 muajve të parë të këtij viti, demonstrojnë se “shtëpitë e barit” kanë nisur të lulëzojnë edhe në vendin tonë.

Që prej fillimit të vitit, në të gjithë vendin janë zbuluar nga policia 20 banesa ku kultivohej kanabisi me llampa. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i këtij fenomeni ka qenë në rritje. Referuar të dhënave, gjatë vitit 2021, në të gjithë vendin janë konstatuar dhe goditur 9 raste të “shtëpive të barit”.

Banesat janë marrë me qira nga trafikantët e kryesisht në katet e fundit të pallateve. Trafikantët investojnë shuma të mëdha parash për të pajisur ambiente të posaçme me llampa të fuqishme elektrike, e deri tek tharja dhe paketimi i kanabisit.

Si të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme, jo pak herë ka rezultuar të ketë pasur edhe punonjës të OSHEE-së. Në këmbim të parave, jo pak herë ata nuk kanë denoncuar vjedhjen e energjisë elektrike.

Në disa raste të tjera, të përfshirë kanë qenë edhe efektivë policie që kishin për detyrë të kontrollonin zonat që mbulonin. Janë të paktën 17 punonjës të OSHEE-së dhe 10 efektivë të arrestuar gjatë këtyre 4 muajve në të gjithë vendin. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!