Goditja në tru po shton pacientët dhe në Shqipëri. Rastet me hemoragji dhe ishemi sipas Entela Bashës neurologe në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, janë rreth 30% më shumë se pesë vite më parë. Ndonëse konsiderohen kryesisht sëmundje e moshave mbi 60 vjeç mes tyre ka dhe të rinj.
“Ne kemi në spital raste dhe 40 vjeç apo nën 40 vjeç … Vetëm në urgjencën e QSUT vijnë minimalisht 7-8 rastë me aksidente vaskulare çdo ditë. Minimalisht vetëm në shërbimin neurovascular kemi nga 800 në 1 mijë raste të shtruar, mendo ato që kthehen në rrethe ose trajtohen në shërbime të tjera”
Bllokimi i nje ene gjaku në tru çon në ishemi ndërsa çarja e saj në hemoragji. Në të dy rastet mjekët rendisin disa shkaqe.
“Hipertensioni, obeziteti, duhanpirja, sëmundjet e zemrës dhe koagulimit të gjakut bëhen shkak për aksidente vaskulare cerebrale. I atribuohet edhe stresi që nxit faktorët e modifikueshëm”
Aksidentet vaskulare cerebrale nuk paralajmërojnë. Shenjat që shfaqin janë të menjëherëshme ndërsa koha e mbërritjes në spital vendimtare.
“Ndjenë mpirje dore, këmbe, probleme me shikimin, ekujlibrin, dhimbje koke. Këto nisin menjëherë dhe pacientë duhet ti referohen sa më shpejt në spital se sot brenda 3 orëve të para ka alternativa trajtimi që ulin vdekshmërinë dhe shkallën e invaliditetit.”
Tendencë rritje të tyre mjekët vërejnë në Europë dhe Amerikë. Në Shtetet e Bashkuara një individ bën strok çdo 40 sekonda ndërsa çdo 4 minuta referohet se një person humb jetën prej tij.