Shtohen pistat për vrasjen e Klevis Kapllanit, hetohet miqësia e tij me Emiljano Ramazanin

schedule15:52 - 23 Shtator, 2020

schedule 15:52 - 23 Shtator, 2020

Dëshmitë që efektivë të krimeve në Kavajë kanë siguruar nga rrethi më i ngushtë familjar e shoqëror i Klevis Kapllanit, që u vra në Rrogozhinë, kanë bërë që policia të zgjerojë pistën e hetimeve.

Burime zyrtare pranë grupit hetimor bënë te ditur për ABC News, se miq të 33-vjeçarit u kanë dhënë hetuesve emrat e personave me te cilët Kapllani shoqërohej më shumë.

Mes tyre ka edhe emra të personazheve të njohur të botës së krimit. Njëri prej tyre, sqaruan burimet, është emri i Emiljano Ramazanit, i cili u vra në 20 korrik në Elbasan, brenda makinës së tij në afërsi të banesës.

Të gjitha deklarimet e marra gjatë ditëve të fundit nga të afërm e familjarë të viktimës po verifikohen nga policia e Kavajës, si dhe një grup i posaçëm hetimor i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Dyshimet e policisë janë se 33-vjeçari Klevis Kapllani, i njohur ndryshe edhe me emrin Bledar, mund të ketë pasur informacione lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në qarkun e Elbasanit.

Ndërkohë, pista kryesore vijon të jetë ajo e hakmarrjes për shkak të trafikut te drogës mes Italisë e Holandës.

33-vjeçari Kapllani ka qenë dy herë i dënuar në Itali për trafik droge. Për këtë arsye, pala shqiptare i është drejtuar hetuesve të huaj me një letër-porosi për të siguruar edhe më shumë të dhëna mbi të kaluarën e Kapllanit, që mund t’i ndihmojë ata për identifikimin e autorëve.

Klevis Kapllani u ekzekutua brenda mjetit të tij në afërsi të banesës, në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës, mbrëmjen e 14 shtatorit. Ndërsa trupi i pajetë u gjet nga një banor i zonës, pas disa orësh. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!