Shtohen kursimet e shqiptarëve në euro/ BSH: Bankat kanë dhënë më shumë kredi në gusht

schedule14:27 - 27 Shtator, 2024

schedule 14:27 - 27 Shtator, 2024

Shtohen depozitat e shqiptarëve në monedhën europiane. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin gusht kursimet e shqiptarëve dhe të kompanive u rritën  në total me 19 miliardë lekë, kryesisht të ndikuara nga depozitat në valutë.

Rritja e depozitave në euro është një tregues për  fluksin e lartë të kësaj monedhe në vendin tonë gjatë këtij viti  dhe korrespondon me faktin e numrit të lartë të turistëve por edhe me ardhjen e emigrantëve.

Në fund të muajit gusht depozitat në euro rezultuan 7.92 miliard euro me një rritje prej më shumë se 11%. Në total kursimet në sistemin bankar arritën në 1.33 trilionë lekë duke shënuar një rritje mujore prej 1.5% në krahasim me muajin korrik.

Po ashtu bankat kanë  rrituar huadhënien gjatë gushtit.Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë ka arritur në 812.3 miliardë lekë në Gusht të vitit 2024, me një rritje  prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti  më parë.

Shtimi i kreditimit lidhet më tepër me mbështetjen e investimeve për bizneset e cila është shtuar me rreth 13 miliardë lekë në Gusht krahasuar me një muaj më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!