Teksa në Maqedoninë e Veriut pritet të fillojë së shpejti fushata elektorale për zgjedhjet e parakohëshme, mediat në Shkup raportojnë se prej disa muajsh numri i konkurseve për punësim është rritur ndjeshem.
Shtimi i punësimeve ka qenë praktikë e zakonshme në prag të çdo fushate zgjedhore. Por kreu i qeverisë teknike shprehet se në situatën aktuale nuk bëhet fjalë për punësime.
Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski thotë se numri i lartë i konkurseve për punësim në muajt e fundit nuk ka të bëjë me zgjedhjet e 12 prillit.
Kryeministri deklaroi se gjatë periudhës së fundit nuk është rritur numri i punësimeve por shpallen konkurse në bazë të nevojave të institucioneve.
“Ju e dini që deri në shpërndarjen e Kuvendit, deri në shpalljen e zgjedhjeve, punësime në institucione mund të bëhen dhe nuk ka asgjë kontestuese këtu. Nuk ka rritje të numrit të konkurseve dhe personave që punësohen në këtë moment. Nga momenti kur ligji nuk do të lejojë punësime të reja, sigurisht që çdo institucion duhet të mbajë përgjegjësi, të mos e bëjë këtë, që të mos e dëmtojmë procesin zgjedhor dhe të mos e shkelim Kodin zgjedhor. Kështu që kjo nuk është aspak e lidhur me zgjedhjet”.
Kryeministri Spasovski tha numri më i madh i konkurseve për punësim në këtë periudhë ka të bëjë me angazhimin me kontratë të mësimdhënësve në gjysmën ne dytë të vitit shkollor.
Megjithatë, Alsat raportoi se që nga fillimi i tetorit, numri i konkurseve për punësim është rritur me 60% në krahasim me muajt tjerë të vitit. Shtimi i punësimeve ka qenë praktikë e zakonshme në prag të çdo cikli zgjedhor.
Ndërkohë, qeveria ka paraqitur një plan operativ për punësim për vitin 2020 për realizimin e të cilit parashikohen 1.4 miliard denarë për subvencionim e mikrobizneseve, trajnime për të papunët dhe subvencionimin e pagave.
Ai pritet të përfshijë rreth 12 mijë persona. Me këtë plan për vitin 2020 qeveria beson se do të krijohen 1 mijë e 900 vende të reja pune.
“Kjo masë është e Qeverisë, këtu është Kryeministri, zëvendëskryeministrja, persona që kanë punuar në sjelljen e planit operativ për vitin 2020 i cili kërkonte analizë në gjashtë muajt e kaluar” , tha Mila Carovska, zëvendëskryeministre për çështje ekonomike.
Plani operativ për punësim do të përfshijë trajnime dhe mbikualifikime për të papunët e regjistruar në Agjencinë për punësim./abcnews.al

