Nga Ajgena Korbi
Shtohen dyshimet për praninë e variantit “Delta” të Covid 19 në Shqipëri. Të afërm të personave të ardhur nga jashtë kanë shfaqur shenja të virusit.
Analizat e tyre i kanë dhënë specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik sinjalet për hyrjen e këtij mutacionit në vendin tonë.
Konfirmimi pritet të vijë nga laboratori i referencës në Gjermani.
“Janë mostra të marra nga investigimet në terren, pra kanë lidhje epidemiologjike me hyrje nga udhëtimet, apo kontakte që kanë pasur disa persona të cilët kanë ardhur për të takuar familjarët e tyre dhe është kryer hetimi. Mostrat janë marrë dhe ka sinjale të arsyeshme për të identifikuar këtë variant dhe i kemi dërguar për të marrë një përgjigje më të konfirmuar zyrtarisht”, thotë ajo.
Mutacioni tepër i transmetueshëm i Covid ka ndryshuar klinikë.
Virologia Iris Hasibra, nga Instituti i Shëndetit Publik shpjegon se “Delta” nis të shfaqet si një virozë stinore dhe apelon për të mos shmangur testimin.
“Shenjat e paraqitjes fillestare të sëmundjes janë të afërta me gripin me Sars-Cov2, po ashtu me paraqitje të ulët të sistemit imunitar, ndaj them që të mos e neglizhojmë testimin. Nëse shohim shenja të para, të paraqitemi menjëherë për tu testuar dhe sigurisht të vazhdojmë me vaksinimin”, thotë ajo.
Situata e koronavirusit në Shqipëri aktualisht paraqitet e përmirësuar, por në Europë dhe përtej saj “Delta” ka rikthyer alarmin duke u përhapur me shpejtësi dhe dominuar në shumë shtete./abcnews.al/