Shteti troket te “Kurum”/ Petraj: Duhen ngrirë të gjitha asetet e kompanisë. Hoxha: Ka shkelje të rënda të kuadrit ligjor

schedule23:56 - 27 Gusht, 2024

schedule 23:56 - 27 Gusht, 2024

SHQIPËRI– Kompania Kurum e argumenton largimin e rreth 500 punonjësve me faktin e rritjes së kostove dhe vështirësive ekonomike. Por shifrat e dorëzuara në institucionet shtetërore tregojnë të kundërtën e asaj që pretendon kjo kompani.

Nga të dhënat konfirmohet se “Kurum” është një ndër kompanitë që ka rezultuar me fitimet më të larta në dy vitet e fundit.

Avokati Edmond Petraj, i ftuar në edicionin  “Ora e Fundit” ABC News u shpreh se ka dyshime të forta që kompania turke po tenton të sjellë në Shqipëri punonjës të huaj.

Sipas tij, drejtësia duhet të ngrijë të gjitha asetet e kësaj kompanie në Shqipëri, deri në sqarimin e plotë të situatës.

“Ato janë marrëdhënie kontraktuale që kanë punëdhënësi me punëmarrësin,  kështu që priten për t’u parë se si janë raportet ligjore, pra marrëdhëniet e tyre. Nëse mbyll aktivitetin, ajo ka të drejtë t’i lajmërojë punëtorët, t’i njoftojë tre muaj para. Kjo është më hile. Ka një lloj hapësire që Kurum do të sjellë 500 të huaj këtu, e kam dëgjuar këtë. Kjo mbetet për t’u parë”, tha ai.

I pyetur nëse kompania po tenton të bëjë presion me largime masive nga puna, avokati tha se:

“Nuk është se pse mos të shikohet edhe në këtë kënd, por duhet parë momentin në vazhdim. Unë i qëndroj asaj, që nuk kanë çfarë të shkrinë në furrat e tyre, Kam përshtypjen se po e mbyllin aktivitetin në Shqipëri dhe duhet parë asetet që ato kanë. Për mendimin tim duhen ngrirë të gjitha asetet e kësaj kompanie. Unë shikoj se po e mbyllin aktivitetin sepse nuk ka prodhim më”, tha ai.

Avokati tjetër Arbër Hoxha u shpreh se kompania turke duket që ka kryer shkelje flagrante të kuadrit ligjor shqiptar, si në drejtimin penal ashtu dhe atë  civil.  Ai  theksoi se vendimi për të larguar nga puna 500 punonjës, duket se vjen si presion ndaj shtetit shqiptar.

“Ka shkelje flagrante të kuadrit ligjor nga kompania turke. Kemi të bëjmë me një lloj vendimmarrje nga Kurum për të larguar punonjësit si një shenjë presioni për autoritetet shqiptare. Nëse do marrë punonjës të huaj apo jo, kjo mbetet për t’u parë.  Përgjegjësi penale, patjetër që po, sepse është neni 201 i Kodit Penal, që lidhet me krimet mjedisore. Në rast se i ka shkaktuar dëm shteti shqiptar, ai do të përgjigjet sipas Kodit Civil dhe ndaj të tretëve, ndaj shtetit po, por dhe ndaj kompanive, të cilave mund t’u ketë shkaktuar një dëm real dhe konkret”, tha ai./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!