Shteti nuk “sheh” natën, veterineri me COVID, tregtia e gjësë së gjallë në errësirë, grumbull

schedule17:55 - 6 Shkurt, 2021

schedule 17:55 - 6 Shkurt, 2021

Nga Valbona Davidhi

Në mes të dimrit, natën dhe pa respektuar rregullat anticovid tregtarët dhe fermerët grumbullohen në këtë rrugë periferike në Fier për të shitur dhe blerë gjënë e gjallë. Këtu mblidhen tregtarë dhe fermerë nga të gjitha zonat përreth. Në mungesë të një tregu të mirëfilltë është improvizuar kjo rrugë në dalë të qytetit po nuk ofron asnjë lloj kusht për këtë lloj tregtie. Këtu tregtohet që në orën 3 të mëngjesit deri sa zbardh dita.

Errësira e mban këtë aktivitet larg syrit të medias dhe kontrolleve veterinare. Këto të fundit prej disa javësh nuk janë prezente në treg pasi sic pohojnë tregtaret jashtë kameras, veterineri përkatës është me covid. Por kjo nuk pengon tregtinë e kafshëve të cilat më pas theren dhe shkojnë tek konsumatori.

Megjithëse paguajnë tarifë tek privati, tregtarët nuk shprehin pakënaqësi. I vetmi shqetësim që shfaqin haptazi, është bezdisja nga kamerat.

Me 5 thertore të shpërndara në zonat rurale, Bashkia e Fierit e ka të vështirë mbajtjen nën kontroĺl të therjeve jashtë tyre. Përfaqësuesi I Bashkisë për sektorin e veterinari Erald Qiriako tregon se kur kanë sinjalizime kanë bllokuar sasinë e mishit.

“Kemi 5 thertore ne territorin e Bashkisë së Fierit. Në 5 thertore ka veterinerë kemi pasur raste sporadike. Kemi pasur në fshatin Dëmrënas u njoftuam për therjen e bagëtive jashtë kushteve të ligjit u morën masa dhe ju bllokua sasia e mallit” tha ai.

Bashkia nga ana e saj ka një sfidë tjetër përpara. Do ti duhet të bindë tregtarët të lënë rrugën dhe të transferohen në tregun e ri. Ndërkohë pranë këtij tregu publik që po ndërtohet në zonën e Mbrostarit, po punohet dhe për ngritjen një thertore me përmasa dhe kapacitete të konsiderueshme. Një cikël i mbyllur që pritet të garantojë tregtimin dhe therjen e kafshëve në kushtet e kërkuara nga autoritetet

Ky projekt që pritet të përfundojë në fund të muajit marsit do të jetë thertorja e parë në Fier që plotëson kërkesat e Bashkimit Europian. Fondet për këtë thertore janë siguruar nga vetë fermerët që konkurruan për ti përfituar.

Konkurrimi i tregjeve private me ato publike, ka rezultuar i pa suksesshëm në Fier. Rasti i tregut qendror të fruta perimeve dhe tregut publik mund të përsëritet edhe me tregun e gjësë së gjallë. Tregtarët preferojnë të paguajnë qira të lartë në tregjet private duke refuzuar ato publike për shkak të vendndodhjes së tyre larg qendrës së qytetit./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!