SAZAN- Shteti Shqiptar do të jetë aksionar në projektin për ndërtimin e resortit luksoz në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner.
Shoqëria që do të përfaqësojë Shqipërinë është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin ‘Albanian State Development & Real Estate’ dhe ka si përfaqësues Korporatën Investimeve shqiptare.
Kapitali fillestar i kompanisë është 50 milionë lekë, të zotëruara 100% nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Administrator i kësaj kompanie do të jetë Julian Adili drejtues në korporatë .
Sipas dokumenteve kompania do të duhet të sigurojë menaxhimin dhe zhvillimin e pronave shtetërore, me synimin rritjen e vlerës së tyre dhe për t’i përdorur në mënyrë efikase. Një nga detyrat kryesore do të jetë pjesëmarrja në projekte strategjike si “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit”, por edhe në çdo projekt tjetër që do t’i besohet nga autoritetet shtetërore.
Vetëm pak ditë më parë dhëndri i presidentit Trump jared Kushner dhe Ivanka Trump vizituan Vlorën. Kompania e Jared Kushner ka fituar titullin investitor strategjik për të zhvilluar një resort luksoz në ishullin e Sazanit.
Projekti, me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh në 8 për qind të ishullit.
Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner “Affinity Partners”, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite./abcnews.al